Nevojitet zbatim efektiv i legjislacionit ekzistues, në vend të nisjes së nismave ad hoc, thuhet në draft-raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht sipas pothuajse të gjitha kritereve. Progres i mirë vërehet vetëm në kriteret ekonomike dhe ka progres shumë të mirë në përputhshmërinë e vendit me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane.
Në raport thuhet se puna e Kuvendit u ndërpre nga polarizimi politik, i cili vonoi miratimin e shumë ligjeve. Një planifikim dhe konsultim i mirë nevojitet për të kufizuar legjislacionin e shpejtë dhe pyetjet parlamentare duhet të jenë më të shpeshta.
“Duhen përpjekje të vendosura për të ndërtuar një momentum për reforma dhe për të ecur përpara në procesin e negociatave me BE-në. “Një fokus i veçantë nevojitet për të siguruar zbatimin efektiv të legjislacionit ekzistues, në vend të nisjes së nismave ad hoc,” thuhet në raport.
Marrëveshja e Ohrit vazhdon të zbatohet dhe marrëdhëniet ndëretnike vlerësohen të qëndrueshme.
Thuhet se shoqëria civile vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes dhe në monitorimin e aktiviteteve të shtetit. Megjithatë, nevojitet transparencë dhe gjithëpërfshirje më e madhe në vendimmarrje.
Në raport thuhet se janë bërë reforma në shërbimet e sigurisë, por duhet të forcohet kapaciteti për mbikëqyrjen parlamentare të punës së shërbimeve sekrete.
Është vonuar miratimi i ligjeve për zyrtarët administrativë dhe ligjit për të punësuarit në sektorin publik.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ishte proaktiv në trajtimin e rasteve të nepotizmit, kronizmit dhe ndikimit politik në procesin e punësimit në sektorin publik dhe në emërimin e anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese”, thuhet në raport.
Për sa i përket respektimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së nga ana e Maqedonisë, raportohet për përparim shumë të mirë, me anë të së cilës vendi është plotësisht në anën e BE-së në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë.
“Me këtë, Maqedonia e Veriut ka treguar se mund të jetë një partner i besueshëm”, thuhet në raport.