4.1 C
Tetovo
E diel, 23 Nëntor, 2025
BallinaLajmeÇerdhja në Komunën e Tearcës gati tre vite me dyer të mbyllura,...

Çerdhja në Komunën e Tearcës gati tre vite me dyer të mbyllura, zvarritet hapja

Çerdhja në Komunën e Tearcës e cila ndodhet në fshatin Përshefcë edhe pse është ndërtuar që para gati tre viteve, ende nuk ka filluar të funksionojë, kjo për shkak të zvarritjeve të punëve nga institucionet, shkruan Portalb.mk. 

Ky objekt duhej të ishte gati që në vitin 2023 mirëpo zvarritja e procedurave nga ana e autoriteteve ka bërë që kjo çerdhe ende të jetë e mbyllur për fëmijët. 

Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi gjatë fushatës zgjedhore premtoi se çerdhja do të hapet në ditët e para pasi ai të vijë në krye të komunës. 

“Në muajt e parë garantoj se kjo çerdhe do të nisë me funksionimin e punës sepse ka pasur disa probleme teknike me sa jam i informuar, gjithë fëmijët tanë do të jenë ata të cilët do ta gëzojnë këtë çerdhe në Komunën e Tearcës në ditët e para të qeverisjes tonë”, tha Memishi më 27 shtator 2025. 

Megjithatë, nga Komuna e Tearcës me të cilën që nga 3 nëntori udhëheq Memishi nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këtë çështje.

Ministria e Administratës Publike para pak ditëve dha pëlqimet që u zvarritën me muaj.

“Më 20 nëntor 2025, Ministria e Administratës Publike ka miratuar Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Rregulloren për Sistematizimin e Vendeve të Punës për Çerdhen “Folea” – Tearcë”, thanë nga Ministria e Administratës.

Në qershor 2025, sipas komunës çështja kishte ngelur në miratimin dhe marrjen e pëlqimeve për disa rregullore nga institucionet qendrore si Ministria e Politikës Sociale si dhe Ministria e Administratës Publike.

Pavarësisht premtimeve deh afateve kohore të shkelura, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç. 

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro. 

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. 

Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup. 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments