Të gjitha procedurat për mbajtjen e protestës së paralajmëruar për më 13 dhjetor në sheshin Skënderbe në Shkup janë tejkaluar. Nga komuna e Çairit kanë informuar organet kompetente për sigurimin e mbarëvajtjes së protestës, që organizohet në territorin e saj.
“Ne jemi të informuar për protestën dhe në përputhje me procedurat, kemi njoftuar organet kompetente për të siguruar mbarëvajtjen dhe rendin publik”, thonë nga Komuna e Çairit.
Nga Minsitria e Punëve të Brendshme njoftojnë se do të formohet Shtabin Operativ, për të cilin thonë se është procedurë standarde për tubime të kësaj natyre. Pjesë e shtabit janë përfaqësues të të gjitha njësive organizative pranë Byrosë për Siguri Publike.
“Për protestën e paralajmëruar për më datë 13.12.2025 do të formohet Shtab Operativ, që paraqet procedurë standarde për çdo tubim qytetar të paralajmëruar në përmasa të mëdha. Të gjitha masat e sigurisë do të zbatohen në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, me qëllim që të sigurohet zhvillim i sigurt dhe pa pengesa i tubimit publik”, thonë nga MPB.
Rafiz Aliti, nga Këshilli i protestave, në intervistën për Alsat, hodhi poshtë akuzat se protesta organizatohet për motive politike, duke e cilësuar protestën e së shtunës, si mbarëkombëtare.
“Ne nuk bëjmë protestë që ata të lirohen nga gjykata e Hagës, apo të ndërpritet procesi gjyqësor, përkundrazi ne kërkojmë drejtësi. Kjo protestë ka për qëllim që me të vërtetë të ketë një proces gjyqësor të drejtë, për shkak se gjatë gjithë kësaj kohe ka ndodhur shumë anomali gjatë procesit gjyqësor të gjykatës speciale në Hagë“ – Rafiz Aliti, Këshilli i protestave.
Organizatorët u bëjnë thirrje protestuesve kosovarë të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut me makina dhe jo me autobusë, me qëllim shmangien e vonesave. Protesta e 13 dhjetorit organizohet nga Organizata e veteranëve të luftës, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. /Alsat.mk
