Burimet në malin Sharr që e furnizojnë Tetovën me ujë të pijshëm, vazhdojnë të jenë të pa mbrojtur. Kryetari i komunës, Bilall Kasami, një premtim të tillë e ka dhënë për 100 ditshin e parë të mandatit, ku ndër 30 pikat ishte edhe rrethimi i burimit të ujit në Leshnicë. Kasami tani fajin e hedh tek Ministria Mjedisit Jetësor.
Nga Ministria e Mjedisit thonë të kundërtën. Pohojnë se që në fillim të vitit 2019 kanë dorëzuar elaborat për burimet e ujit në Tetovë, për Burimin e Madh në Kodrën e Diellit si dhe për Vakëfin. Sipas tyre, kërkesë tjetër nuk ka.
“Ndërmarrjes NPK Tetova me datë 16.04.2019 i është dorëzuar elaborat për përcaktimin e zonës së mbrojtur të burimeve të ujësjellësit të Tetovës, edhe atë për burimin e Madh në Kodrën e Diellit dhe Vakëfit, me numër teknik GT-06/01/2019 në shkurt të vitit 2019 ku është dorëzuar vendimi për përcaktimin e nevojave të zonave të mbrojtura nr. 08-8571/4 të datës 22.08.2018 të miratuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës. Ministrisë elaborat tjetër për përcaktimin e zonave të mbrojtura nuk i është dorëzuar as nga Komuna e Tetovës edhe as nga Ndërmarrja publike”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Qyteti i Tetovës furnizohet nga dy ujësjellës kryesorë në malin Sharr, një që është në Kodrën e Diellit edhe tjetri në Leshnicë.