Pas debatesh të gjata dhe polemikave të ashpra, Bundestagu më në fund miratoi me dy të tretat e votave një ndryshim kushtetues që do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si financohet mbrojtja gjermane. Me këtë vendim, frena buxhetore nuk do të kufizojë më shpenzimet për ushtrinë. Për ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë votuan pro 513 deputetë, ndërsa 207 votuan kundër; nuk pati asnjë abstenim.Pjesë e këtij vendimi historik ishte edhe miratimi i një fondi special prej 500 miliardë euro për investime në infrastrukturë dhe klimë, të cilat do të shtrihen në 12 vitet e ardhshme. Investimet synojnë modernizimin e rrugëve, sistemeve energjetike, por edhe shkollave.