Në mes të negociatave të intensifikuara ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për ndërtimin dhe modernizimin e hekurudhës nga Korridori 8 nga pala maqedonase dhe bullgare, qeveria në Bullgari mori vendim për shtyrjen e modernizimit të seksioneve Sofje-Pernik dhe Pernik-Radomir, të cilat janë pjesë e këtij korridori.
Një vendim i tillë është marrë nga qeveria e kryeministrit bullgar Rosen Zheljazkov, në kuadër të ndryshimeve në programin “Lidhja e transportit 2020-2027”.
Sipas njoftimit të portalit bullgar “Mediapool”, realizimi i dy projekteve hekurudhore Sofje-Pernik dhe Pernik-Radomir, për të cilët janë ndarë 500 milionë euro, janë përjashtuar nga financimi në periudhën aktuale programore 2020-2027 për shkak të vonesave dhe mungesës së mjeteve.
“Në vitin 2019, si ministër i Transportit, Rosen Zheljazkov mburrej se në vitin 2025 do ta kalonte me tren distancën nga Sofja deri në Shkup për më pak se një orë. Por sot, si kryeministër, duket se nuk mendon kështu, pasi qeveria e tij votoi për të hequr dorë nga projekti për modernizimin e linjës hekurudhore Sofje-Radomir-Pernik në kurriz të realizimit të projekteve të tjera hekurudhore”, thuhet në postimin e “Mediapool”.
Përveç kësaj, vendimi i qeverisë së Bullgarisë tashmë ka pezulluar disa projekte hekurudhore, si dhe projektet për implementimin e sistemit evropian për menaxhimin e trafikut hekurudhor, ndërsa si arsye përmenden përgatitjet e vonuara të projekteve. Mjetet nga projektet e anuluara do të ridrejtohen në përfundimin e të ashtuquajturit autostradën hekurudhore “Trakia” nga Sofja në Burgas, si dhe për disa projekte të tjera hekurudhore.
Ndryshe, modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Kështu deklaroi ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski në shkurt të këtij viti, i cili shtoi se krahas kësaj pike, kolegët bullgarë kanë biseduar edhe për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë dy vendet, si dhe për obligimin që duhet të marrë Sofja për ndërtimin e hekurudhës nga Gjuesheva deri në kufirin me shtetin, gjatësia e së cilës do të jetë rreth katër kilometra.
Në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nga viti 2017, u angazhua që deri në vitin 2027 të ndërtohet linja hekurudhore Shkup-Sofje.