Rumania dhe Bullgaria të mërkurën i hoqën kontrollet kufitare për t’u bërë anëtare të plota të zonës Shengen për udhëtim të lirë, duke iu bashkuar një blloku të zgjeruar të shteteve banorët e të cilave mund të udhëtojnë pa kontroll të pasaportave.
Fishekzjarrët e ndriçuan qiellin në një pikëkalim kufitar afër qytezës kufitare bullgare, Ruse, pak pas mesnatës, përderisa ministrat e brendshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë në mënyrë simbolike hoqën një pengesë në Urën e Miqësisë mbi Lumin Danub. Ky pikëkalim është pikë e rëndësishme transiti për tregtinë ndërkombëtare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.Kontrollet ndaj udhëtimit përmes ajrit e detit nga Bullgaria e Rumania ishin hequr në marsin e vitit 2024, por kontrollet tokësore vazhduan deri muajin e kaluar, kur Austria hoqi dorë nga vetoja që e kishte mbajtur në fuqi me arsyetimin se një masë e tillë ishte e nevojshme për ta ndalur migrimin e çrregullt.
Kontrollet kufitare mes Francën, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës e Luksemburgut së pari ishin hequr më 1985. Zona Shengen tani mbulon 25 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.