Bujqit e zonës së Tetovës ende nuk i kanë marrë dëmshpërblimet për dëmet që u shkaktuan nga reshjet e qershorit të vitit 2024, ata alarmojnë se institucionet i kanë harruar, ndërsa nga humbjet rrezikojnë të mos mbjellin për këtë sezon. Komuna e Tetovës thotë se kompensimet pritet të jepen deri në fund të muajit, shkruan Portalb.mk.
Gati dy vite pas vërshimeve dhe dëmeve, bujqit e Tetovës ende nuk janë dëmshpërmblyer nga institucionet.
Në shenjë revolte, një grup i tyre u mblodhën para Komunës së Tetovës. Ata ankohen se çdo ditë i vuajnë pasojat e humbjeve.
Një bujk tha se autoritetet u kanë premtuar, por deri sot nuk kanë marrë asgjë në këmbim, ndërsa ballafaqohen me kriza për sezonin e ardhshëm të të mbjellave.
“Vetë na premtoi kryetari në 2024, ishin me ministrin e bujqësisë i panë dëmet, na premtoi së shpejti, 35% premtoi, nuk na lëshojnë 35%, thotë 5% Qeveria, 5% komuna. Nuk e di edhe sa duhet të premtojë, të gënjejë, të na sjellë në këtë nivel neve, asnjë, as para plus edhe një fjalë nuk e kanë thënë, vetëm janë duke na rrejtë, janë duke na mbajtur me premtimet e veta, ne tokat që i kemi do fillojmë do i bëjmë ndërtime, do marrim leje, stallat do i hapim kazino, le të fitojë komuna, qeveria, shteti, ne nuk mund të fitojmë, jemi të humbur. Duhet të fillojnë të mbjellat, nuk ka me çfarë do fillosh. Të paktën 10 përdindishin që e premtojnë të na japin se edhe ai 10% nuk është asgjë, ka Strumica që është bërë dëmi kanë marrë 34%”, tha bujku.
Një tjetër bujk thotë se nuk kanë asnjë përgjigje edhe pse dëmi ka qenë në rajonin e Tetovës më së shumti.
“Komisioni që doli në terren e vlerësoi dëmin qindpërqind dhe prej asaj dite kurrgjë s’kemi, prej komunës s’kemi as 5%, ne kërkojmë të jemi të barabartë edhe me Maqedoninë Lindore. Për tatime jemi të barabartë me të tjerët, për dëmet që na bëhen jemi të shmangur. Kërkojmë prej komunës dhe qeverisë të i pranojnë kërkesat tona. Ballafaqohemi me kriza, ne tatime i paguajmë shtetit por të marrme asgjë. Kështu jemi në minus nuk mund ta përballojmë situatën”, tha bujku.
Fatmir Sabriu ishte kryetar i Komisionit qeveritar për kompensimin e dëmeve në bujqësi, për Portalb.mk ai tha se që nga korriku 2025 nuk është më në këtë komision.
“Deri sa isha në komision e kaluam lëndën e Tetovës për vërshimet e vitit 2024 dhe i propozuam qeverisë të sjellë vendim për dëmshpërblim në bazë të ligjit. Më pas se si ka ecur procedura nuk kam qasje”, tha Sabriu.
Nga Komuna e Tetovës theksuan se dëmshpërblimet pritet të jepen deri në fund të muajit.
“Institucionet përkatëse kanë përfunduar procedurat administrative të nevojshme, duke hapur rrugën për realizimin e pagesave. Sipas dinamikës së paraparë, kompensimi për bujqit e dëmtuar pritet të ekzekutohet deri në fund të këtij muaji”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Lidhur me këtë problem, këshilltari komunal nga AKI, Berat Murati, në mbledhjen e Këshillit Komunal më 30 janar kërkoi që të rritet shuma e kompensimeve për bujqit e dëmtuar, pasi vlerësoi se shuma është shumë e vogël në krahasim me dëmet.
“Vlera prej 5% të ketë ndryshim sepse në qoftë se bëhet analizë, kjo vlerë nuk i përmbush aspak kushtet për bujqjit ti kompensojnë dëmet që i kanë pasur”, tha Murati.
