Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po e mbështesin gjithnjë e më shumë nevojën e votimit të ndryshimeve kushtetuese, siguron ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Sipas tij, nuk ka asnjë shqetësim real mes njerëzve.
“Qytetarët u bënë peng të të gjitha shqisave me propagandën më çnjerëzore kundër tyre. Gënjejnë se do humbasin identitetin, gënjejnë se do bullgarizohen. Ishte shumë e rëndësishme që të hapej një debat i plotë se cilat janë ndryshimet kushtetuese. Mendoj se me përfundimin e debatit njerëzit janë më të qetë për vetë procesin. E shihni që nuk ka asnjë reagim. Kur ka pasur seancë parlamentare nuk ka pasur protesta. Nëse do të kishte shqetësim të vërtetë, njerëzit do të kishin dalë dhe do të protestonin siç bënë dje. Çka do të thotë se e gjithë kjo opozitë ka një prapavijë politike në shërbim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por nuk ka asnjë zhgënjim primar sepse e gjitha do të ishte shfaqur. Ka zhgënjime, ka pakënaqësi dhe mendoj se sa po vazhdon debati dhe po shpjegohen proceset, njerëzit janë çdo ditë më të relaksuar dhe mendoj se shumë shpejt do të arrijmë në atë pikë ku do të ketë mbështetje më të gjerë”, theksoi ministri i jashtëm Bujar Osmani në Tetovë, ku po mbahet Konferenca e parë e OSBE-së për barazinë gjinore dhe forcimin e rolit të gruas.
Në një konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për këtë temë, Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në mandatin e rregullt, duke vlerësuar se është çështje e mbyllur.
Në pyetjen se a është një akt fqinjësie të mirë që Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë tha se do të bllokojë propozimin e Këshillit Amerikan për një muaj të trashëgimisë amerikano-maqedonase, Osmani vlerësoi se diplomacia jonë dërgon një mesazh tjetër.
Në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, në Tetovë u mbajt Konferenca e parë për barazi gjinore dhe përforcimin e rolit të gruas.