Nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani ka reaguar pas njoftimit se Propozim-Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias, përcjell TV21. Osmani thotë se pr/ligji në fjalë nuk mund ta zëvendësojë mekanizmin e Balancuesit, pasi sipas tij, ka disa mangësi.
“Pse ligji i ri për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat” është i dobët dhe nuk mund të jetë zëvendësim për balansuesin: Sepse nuk është më i detyrueshëm, por orientues. Sepse nuk vepron automatikisht, por varet nga vullneti i administratës. Sepse nuk bllokon vendimmarrjen kur shkelet përfaqësimi, por vetëm e regjistron atë. Sepse nuk vepron ex ante po ex post. Sepse nuk krijon pasoja juridike të drejtpërdrejta për mosrespektim. Sepse e zhvendos barazinë nga e drejtë në politikë publike. Sepse lejon interpretim, shtyrje dhe relativizim. Sepse nuk garanton përfaqësim real, por menaxhim të përfaqësimit. Balansuesi funksiononte sepse nuk linte hapësirë për improvizim. Ky ligj le vetëm hapësirë. Dhe kur ligji krijon hapësirë, pabarazia gjithmonë e shfrytëzon. Nuk duhet të kalon!”, ka shkruar Osmani.
