Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, paradite iu drejtua panelit: “Zbrazëti në zemër të Evropës? “Kthim në Ballkan”.
Sipas MPJ-së, diskutimet kishin për qëllim riafirmimin e qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor si partner strategjik dhe kredibil për Evropën, ku Osmani përmendi përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian.
- Çdo dështim për të ruajtur trajektoren evropiane të Ballkanit Perëndimor mund të ketë pasoja dramatike për vendet e rajonit dhe BE-së, duke përfshirë sigurinë dhe migracionin. “Vendet tona duhet të vazhdojnë të bëjnë progres në aspektin e pajtimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe, në frymën evropiane, si dhe të forcojnë reformat themelore, veçanërisht në aspektin e sundimit të ligjit, bazuar në metodologjinë e rishikuar të anëtarësimit”, tha Osmani. .
Në këtë aktivitet morën pjesë presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, Kosova, Vjosa Osmani, Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, ministrat e Jashtëm të Kroacisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, ambasadori i SHBA-së në NATO, Julian Smith, Përfaqësuesi Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçakk, si dhe Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.