Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot mori pjesë në panel-diskutimin e titulluar “Mbështetja e mbrojtësve të demokracisë nga Afganistani”, organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar.
Në fjalimin e tij, ministri Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut i hapi dyert për rreth 800 refugjatë nga Afganistani, duke demonstruar fuqishëm solidaritetin dhe përgjegjësinë në një kohë kur ishte më e nevojshme. Ai shprehu kënaqësinë për kryerjen me sukses të misionit për strehimin e përkohshëm të personave të rrezikuar nga Afganistani, të cilët u larguan nga Maqedonia e Veriut dhe u nisën destinacionin e fundit.
“Në atë kohë të vështir, ne e kuptuam plotësisht nevojën për të intensifikuar përpjekjet tona për të ndihmuar njerëzit që kanë punuar për paqen në atë vend për 20 vitet e fundit. Këta ishin punonjës, gra dhe fëmijë nga familjet e të punësuarve në misionet humanitare dhe paqeruajtëse, aktivistë nga organizata të të drejtave të njeriut, gazetarë, përkthyes, studentë, shkencëtarë, si dhe qytetarë që i mbështetën forcat e NATO-s në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit, duke përfshirë dhe armatën tonë”, tha Osmani.
Njëherit, Osmani kujtoi se vendi, si aleat i besueshëm i NATO-s, u ka ofruar strehim të përkohshëm gjithsej 68 afganëve, të cilët ishin vendosur në bazën “Bechtel” në Kosovë, e të cilët më parë ishin të angazhuar nga Aleanca gjatë misionit në Afganistan.
“Kemi kontribuar që të lirohen forcat e NATO-s të angazhuara në bazën “Bechtel” në Kosovë dhe që ato të veprojnë me kapacitet të plotë në krahun lindor, në kontekst të kërcënimeve që vijnë ndaj shteteve anëtare në atë pjesë, si pasojë e invazionit rus ndaj Ukrainës. Dhe këtë mision ne e përfunduam me sukses. Të gjithë afganët e lidhur me NATO-n janë larguar nga vendi dhe janë në destinacionin e fundit”, tha Osmani, duke shtuar se pjesëmarrja në këtë operacion ishte një përvojë e jashtëzakonshme për arritjen e ndërveprueshmërisë së dëshiruar, e cila na ndihmoi sot të qëndrojmë krah për krah me Aleatët tanë të NATO-s në misione të ndryshme për të mbrojtur vlerat dhe normat tona.