Britania do ta njohë shtetin palestinez në shtator, nëse Qeveria e Izraelit nuk ndërmerr hapa substancialë për t’i dhënë fund “situatës së tmerrshme” në Gazë, dhe nuk i plotëson kushtet tjera, i ka thënë kryeministri britanik, Keir Starmer kabinetit të tij, sipas një deklarate të lëshuar nga kryeministria.Paralajmërim të ngjashëm ka bërë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron ditë më parë.
Aktualisht shtetin palestinez e njohin më shumë se 140 prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Sipas deklaratës, Starmer do ta ndërmarrë këtë veprim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në rast se Qeveria izraelite nuk i jep fund situatës në Gazë, nëse nuk arrin armëpushim, nëse nuk e bën të qartë se nuk do të ketë aneksim të Bregut Perëndimor dhe nëse Izraeli nuk do të përkushtohet për paqe afatgjatë përmes zgjidhjes me dy shtete.
“Ai e ka përsëritur se nuk ka ekuivalencë në mes të Izraelit dhe Hamasit, dhe që kërkesat tona ndaj Hamasit mbesin të njëjta, duhet të lirohen të gjitha pengjet, të nënshkruhet armëpushimi, dhe Hamasi të pranojë se nuk do të ketë asnjë rol në Qeverinë e Gazës, si dhe të çarmatoset”, është në deklaratë.
Hamasi është grup palestinez, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
Starmer e ka marrë këtë vendim pasi e ka ftuar për takim kabinetin e tij të martën, për të diskutuar një plan të ri për paqe, në të cilin janë duke punuar disa liderë evropianë.
Ai ka diskutuar me ekipin e tij edhe për mënyrat e dërgimit të ndihmave humanitare në Gazë.
Qeveritë paraprake britanike kanë thënë se do ta njohin zyrtarisht shtetin palestinez kur të jetë koha e duhur, pa përmendur ndonjë afat kohor apo plotësimin e ndonjë kushti.
Mirëpo tani, me paralajmërimet se njerëzit në Gazë po përballen me uri, një numër në rritje i ligjvënësve në Partinë Laburiste të Starmerit, i kanë kërkuar atij të njohë shtetin palestinez dhe të rrisë presionin ndaj Izraelit.
Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë.
Pjesa më e madhe e Gazës tani është shndërruar në gërmadhë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRWA) ka thënë se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës tani është i kequshqyer dhe që numri i rasteve po rritet çdo ditë.
Mbi 100 organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe grupe për të drejta të njeriut kanë paralajmëruar për uri masive në Rripin e Gazës, duke iu bërë presion qeverive në botë që të veprojnë.
Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve në Gazë, përsërit se nuk ka rrethim dhe e fajëson Hamasin për çdo rast të kequshqyerjes./REL