3292 lëndë penale, civile dhe kundërvajtëse janë vjetërsuar në periudhën prej 2018 deri në 2020.
“E morëm pikërisht këtë statistikë zyrtare e cila e konfirmon raportin e Transparency që tregon se rruga jonë në këtë periudhë, është në pjesën e gjyqësisë dhe në pjesën e sundimit të së drejtës”, u shpreh Lupço Nikollovski – zëvendëskryeministër për luftën kundër korrupsionit.
Arsyen për vjetërsimin e lëndëve duhet ta tregojë analiza e detajuar e cila u paralajmërua.
“Drejtësia duhet të jetë e arritshme dhe kjo është vlerë dhe standard të cilave u jemi përkushtuar”, tha Lupço Nikollovski – zëvendëskryeministër për luftën kundër korrupsionit.Nikollovski thotë se opozita tre vjet lufton drejtësinë dhe ligjet, por nga VMRO-DPMNE-ja nuk mendojnë ashtu. Prej atje thonë se për renditjen më të keqe në histori sipas indeksit të korrupsionit, duhet të përgjigjet pikërisht zv/kryeministri për luftë kundër korrupsionit.
“Nevojiten dorëheqje, së pari nga i ashtuquajturi zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski dhe ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, për shkak se jo vetëm që nuk luftuan korrupsionin por i njëjti është më i theksuar. Prandaj, VMRO-DPMNE-ja do të dorëzojë interpelancë në Kuvend për Lupço Nikollovskin dhe Bojan Mariçiq”, potencoi Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE .
Javën e kaluar, Këshilli gjyqësor shkarkoi një gjykatëse e cila me shumë gjasa e ka keqpërdorur sistemin AKMIS, ndërsa në vitin 2020 për përcaktim të përgjegjësisë janë dorëzuar kërkesa për 107 gjykatës.
Problemi me korrupsionin në Maqedoni është pjesë e Planit aksionar 21 në të cilin qeveria paralajmëroi se do të vendoset call – qendër e sinkronizuar për denoncim të korrupsionit dhe ndjekje të veprimeve brenda institucioneve.
Por nga ana tjetër, mbi një vit në Kuvend nuk sillet strategjia për luftë kundër korrupsionit dhe parandalim të konfliktit të interesave, të cilën e përpiloi komisioni antikorrupsion së bashku me disa institucione të tjera.
“Emërimi i zv/kryeministrit nuk mund ta zgjedhë problemin përnjëherë, po ashtu edhe përbërja e re e KSHPK-së. Ne zbuluam shumë gjëra, shumë dobësi të sistemit, që duhet të analizohen, të mënjanohen ato dobësi, për këtë gjë nevojitet vullnet politik, shteti, ministritë të bëjnë ndryshim në ligjet përkatëse që të mos kemi dobësi të këtilla sistematike”, deklaroi Biljana Ivanovska – KSHPK.
Maqedonia e Veriut ka renditje më të keqe deri më tani sipas indeksit të korrupsionit të Transparency International, me ulje prej 5 vendeve dhe është në vendin 111 së bashku me Bosnjë e Hercegovinën, Panamanë dhe Mongolinë.