Llogaritë e të gjitha kompanive që kanë borxh ndaj MEPSO-s janë bllokuar, ndërsa çdo të hyrë në llogarinë e tyre do të përfundojë në MEPSO. Bëhet fjalë për kompani që merren me tregti të energjisë elektrike e që gjatë vitit të kaluar kanë tërhequr energji elektrike nga sistemi i transmetimit të MEPSO-s dhe për këtë nuk kanë paguar.
“KRRE është drejt fundit të miratimit të rregullave të reja të tregut, ku ne si MEPSO do të kemi pasqyrë në baza ditore midis konsumit të shpallur dhe atij të realizuar. Në rast luhatjeje do të kemi mundësi të ndërhyjmë dhe të mos lejojmë pasoja financiare për kompaninë. Sa i përket borxhit, të gjitha kompanitë, llogaritë e tyre janë bllokuar dhe në kontinuitet të gjitha të hyrat që hyjnë në llogaritë e tyre në mënyrë automatike vijnë në MEPSO”, deklaroi Orhan Murtezani, Drejtor i SH. A. MEPSO.
Kryeministri Kovaçevski përsëriti edhe një herë se Institucionet janë përgatitur që këtë dimër të mos ketë probleme me energjinë elektrike dhe ushqimin.
”Kam premtuar se ushqim, energji elektrike dhe ngrohje këtë dimër duhet të ketë për të gjithë, me vendimet e reja qeveritare që I publikuam të dielën, sigurojmë energji elektrike më të lirë edhe atë 80 euro për megavat orë për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë, me qëllim stabilizimin e çmimeve të prodhimeve finale. Tashmë prodhuesit thanë publikisht se me vendimin e tillë çmimet duhet të ulen për më së paku 10 për qind”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Këto komente ai i bëri gjatë promovimit të pajisjes së re digjitale në rrjetin e transmetimit nga ana e MEPSO-s dhe i njëjti kap vlerën e rreth 5 milion eurove. /Alsat.mk