Për këtë tokë i është paguar tatim komunës në vlerën prej 50 eurosh për metër katror prej vitit 1994. Por, tani gjatë shpronësimit për të ndërtuar mbi të autostradën Shkup-Bllacë, Byroja për ekspertizë ligjore e ka kompensuar për 5 euro m2. Banorët që kanë pronat për rreth rrugës i kanë ankimuar vendimet dhe disa prej tyre kanë marrë epilog. Njëri nga pronarët tha se Gjykata Administrative e ka shfuqizuar vendimin e Byrosë, më ç’ rast i ka hapur rrugë procesit gjyqësor për konteste pronësore.
“Ne nuk e kemi pranuar dhe tashmë lëndën e kemi dorëzuar me avokat në gjykatë. Se si vlerëson gjykata varet nga shteti edhe pse e dimë se do të jetë vështirë sepse shteti ishte ai që bëri vlerësimin. Prona është e jona, nuk do të heqim dorë deri në fund! Ose do ta humbasim të gjithën ose do ti shkojmë deri në instancat më të larta, por jo vetëm në gjykatat e Maqedonisë”, tha Bunjamin Xhaviti, banor.
Vlerësues i autorizuar nga Byroja e ekspertizë gjyqësore tha se rreth 150 pronat e asaj zone kanë arritur shifrën mbi 2,2 milion euro. Sipas Antonio Georgiev disa prona rreth rrugës së vjetër kanë vlerën 50 euro për m2, vlerë për të cilën pronarët i kanë paguar tatim Komunës Çuçer Sandevo.
“Në rastin konkret ka toka bujqësore dhe parcela ndërtimore, këto të fundit janë të pozicionuara përreth rrugës së vjetër. Sipas vendimeve të komunës dhe karakterit të pronave është vërtetuar vlerësimi i çmimit të tregut për ato toka për m2”, tha Antonio Georgiev, ekspert për vlerësim të pronave.
Banorët e Bllacës hedhin poshtë konstatimet e Zëvendëskryeministrit Artan Grubi që të gjitha pronat private 100% janë shpronësuar, nëpër të cilat do të kaloj autostrada e re Shkup-Bllacë. Nga kabineti i tij, sqarojnë se vetëm 8 parcela janë shpronësuar në 2 kilometrat e nisjes nga faza e parë e projektit.
MINISTRIA PËR SISTEM POLITIK:
“Në seancën e 32-të me vendim të qeverisë, Ndërmarrjes publike për rrugët shtetërore i janë dhënë vetëm 8 parcela në bazë të vendimeve për shpronësim nga Drejtoria për çështje të pronësisë për ndërtimin e Autostradës Shkup-Blacë, duke pasur parasysh interesin publik dhe shpronësimi është kryer 100% në fazën e parë të autostradës.”
Sipas Nenit 37 të Ligjit për shpronësim kompensimi i pronave të patundshme bëhet në bazë të vlerës së çmimit të tregut i cili ndryshon në çdo komunë në bazë të pagesës së tatimit së atyre pronave. Autostrada prej 12 kilometrash që taksapaguesve është paraparë tu kushtoj 120 milion euro, mund ti rritet kostoja për shkak se vlerësimet gjatë shpronësimit nuk ishin reale. Përderisa telashe me pronat janë paraqitur që në fazën e parë, vështirë se do të arrihet afati i inaugurimit të autostradës në vitin 2023./Alsat