0.3 C
Tetovo
E enjte, 21 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaBlinkeni i dënon hapat e Rusisë dhe Koresë së Veriut për thellimin...

Blinkeni i dënon hapat e Rusisë dhe Koresë së Veriut për thellimin e bashkëpunimit ushtarak

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka dënuar thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë, përfshirë transferimin e armëve në kundërshtim me rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha Departamenti i Shtetit të premten.

Gjatë një bisede me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Tae-yul, kryediplomati amerikan gjithashtu ritheksoi rëndësinë jetike të aleancës së “hekurt” mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut për “promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në gjithë botën”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, në një komunikatë.

Blinkeni e falënderoi ministrin jugkorean për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Ukrainën.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, e nënshkruan këtë javë një marrëveshje për mbrojtjen gjatë vizitës së liderit rus në Penian.

Është e paqartë se çfarë lloj marrëveshjeje e ndihmës është arritur. Por, ajo është përshkruar si “bashkëpunim gjithëpërfshirës strategjik”.

Duke folur pas ceremonisë së nënshkrimit, Kim tha se marrëveshja “është traktati më i fuqishëm” i nënshkruar “ndonjëherë” mes dy shteteve, që sjellë raportet në nivel të aleancës, që do të mundësojë po ashtu bashkëpunimin në shumë fusha, përfshirë atë politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake.

Putin tha se çështjet e sigurisë dhe ato ndërkombëtare ishin në fokus të takimit me Kimin, raportoi media shtetërore ruse.

Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut e kanë akuzuar Veriun se po i ofron Rusisë artileri, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake që Moska t’i përdorë në Ukrainë, në këmbim të ofrimit të teknologjisë ushtarake.

Si Peniani, ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat. Transfere të tilla armëve do të përbënin shkelje të sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat më herët Rusia i ka mbështetur./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments