Zëvendëskryeministri i Kosovës për Dialog, Besnik Bislimi thotë se është pajtuar me një propozim të emisarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, sa i përket çështjes së Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), por sipas tij, Serbia ka kërkuar kohë shtesë.
Në një deklaratë pas takimeve në Bruksel më 04.04.2024, Bislimi tha se Lajçaku ka nxjerrë një propozim “të konsoliduar, konstruktiv dhe në rrugën e duhur”, për të gjetur një zgjidhje e cila, sipas Bislimit, më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë dhe e respekton Rregulloren e BQK-së.
“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, z. Lajçak ka nxjerrë një propozim nga ana e tij, propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serb në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe respekton në tërësi Rregulloren e BQK-së. Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë”- ka deklaruar Bislimi para mediave në Bruksel, përcjell Zyra e Kryeministrit e Kosovës.
Ai paralajmëroi se takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel.
Sipas Bislimit, Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin dhe rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin.
“Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së”- tha Bislimi.
“Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Atyre i është bërë e qartë javën e kaluar që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis”- shtoi ai.
Zëvendëskryeministri theksoi se gjatë takimit të sotëm me palën serbe, kanë pasur dallime të mëdha.
“Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe kanë punuar si avokatët të “Postanska Banka” (Banka Postare) dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira”- është shprehur Bislimi.
Ai tha se në Kosovë nuk ka Bankë Postare dhe siç tha ai” rrjedhimisht diçka që nuk është legjitime nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes”.
“Ligjërisht në Kosovë, nuk ka “Postanska Banka” dhe një nga principet e dakorduara është zgjidhja të sigurojë legjitimitet në tërësinë e saj, rrjedhimisht diçka që nuk është legjitime nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Mendoj që kjo është bërë e qartë palës serbe dhe gjatë javës së kaluar e sot në mënyrë të qartë edhe nga z. Lajçak”- ka përfunduar Bislimi.
Ndërkaq, duke folur për gazetarë në kryeqytetin belg, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinws. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.
Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.
Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.
SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.
Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.