2.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaEkonomiBIRN / Punëtorët e sektorit privat në Ballkan më të dëmtuarit nga...

BIRN / Punëtorët e sektorit privat në Ballkan më të dëmtuarit nga pandemia COVID-19

BIRN | Beograd, Bukuresht, Kishinau, Zagreb, Pristinë, Shkup, Sofje

Pandemia e COVID-19 i ka përballur punonjësit e sektorit privat në Ballkan me humbje të papritura të vendeve të punës, ulje pagash dhe leje të detyruar të papaguar, ndërkohë që rritet numri i shkeljeve të të drejtave ë tyre.

Shkurtime të papritura, leje e detyruar e papaguar; ulje masive të pagave – ndërsa autoritetet në Ballkan llogaritin koston e COVID-19 përsa i përket niveleve të infeksionit, vdekjeve dhe dëmtimit të ekonomisë, punëtorët e sektorit privat e shohin veten veçanërisht të prekshëm nga efektet e një izolimi global.

Me sindikatat që lajmërojnë shkeljet e të drejtave të punëtorëve, BIRN ka identifikuar një sërë shembujsh që prekin veçanërisht ata me kontrata me afat të caktuar.

Këto shkelje variojnë nga pushime të papritura nga puna e deri tek detyrimi i punonjësve që të marrin pushime të papaguara, ulje të ndjeshme të pagave dhe presion ndaj kategorive të cenueshme të punëtorëve për të hequr dorë nga lejet e paguara tashmë të aprovuara.

Ata që kujdesen për funksionimin e vendit – nga oficerët e policisë deri te punonjësit e supermarketeve – ankohen se detyrohen të punojnë jashtë orarit pa kompensim dhe, në shumë raste, duhet të paguajnë nga xhepat e tyre për pajisje mbrojtëse kundër koronavirusit.

Inspektoratet e punës thonë se ata nuk kanë burime për të parë një rritje të abuzimeve të raportuara.

Të dhënat e para në disa vende tregojnë për mijëra pushime nga puna. Punëtorët e sektorit publik, tani për tani, duken të sigurt, por jo domosdoshmërish pagat e tyre.

“Punëtorët në kontrata me afate fikse, por edhe ata që punojnë si të pavarur, janë më të rrezikuarit, por shumë të tjerë përballen me vështirësi dhe shkelje të ndryshme të të drejtave të tyre”, tha Darko Dimovski, kreu i Shoqatës së Sindikatave në Maqedoninë e Veriut.

“Punëdhënësit tani janë tunduar t’i bëjnë presion punonjësve ose të shfrytëzojnë boshllëqet në ligjet ekzistuese për të hequr qafe më lehtë forcën e punës.”

Të detyruar të marrin leje të papaguar

Ankesat janë të njëjta kudo nëpër Ballkan.

Në Bullgari, një burrë që nuk pranoi t’i përmendej emri tha për BIRN se ai dhe dhjetëra bashkëpuntorë ishin detyruar të merrnin leje pa pagesë.

“Ata që nuk pranojnë të marrin leje të papaguar, thjesht do të pushohen përgjithmonë nga puna”, tha ai. “Kjo është teknikisht i ligjshme, por vendimet merren nën presion.”

“Njerëzit e pranojnë këtë gj që të mos humbasin të ardhurat e tyre për një kohë të pacaktuar. Edhe unë e firmosa lejen time të papaguar për të njëjtën arsye.”

E njëjta histori është edhe në sektorin e shërbimeve në Turqi, ku një burrë në Stamboll tha se edhe ai ishte detyruar të merrte leje pa pagesë.

“Zgjedh të humbas të ardhurat e mia për një periudhë kohe të paditur, që të mund të kem një punë kur gjithçka të kthehet në normalitet”, tha ai për BIRN në kushte anonimiteti.

Në Maqedoninë e Veriut, një nënë beqare në Shkup, tha që ishte detyruar të qëndronte në punë pavarësisht një urdhri të lëshuar nga qeveria që u jepte leje të paguar të gjithë prindërve që nuk kishin dikë tjetër që të kujdesej për fëmijët e tyre.

“Kur ia përmenda këtë gjë pronarit, ai më dha një zgjedhje. Mund të largohesha dhe të më pushonin nga puna ose të rrija”, tha gruaja, duke folur gjithashtu në kushte anonimiteti.

Ajo tha se kishte frikë të ankohej tek inspektorët e punës.

“Edhe nëse e denoncoj rastin tim dhe fitoj, mund të më pushojnë nga puna më vonë, kur e gjithë kjo të mbarojë””, tha gruaja. “Shefat mund të gjejnë justifikime të ndryshme, nëse dëshirojnë.”

Njëzet e shtatë vjeçari Dragan nga Bosnja humbi punën e tij në një mobilieri në afërsi të qytetit verior të Banja Lukës në mars. Shefi i tij i tha se porositë për mobilie ishin në rënie dhe se ai nuk e paguante dot më Draganin. Pushimi nga puna ishte i menjëhershëm dhe nuk iu dha asnjë rrogë plus.

“E kuptoj, por nuk di çfarë të bëj”, tha Dragani, duke folur me kushtin që BIRN të mos publikonte mbiemrin e tij ose emrin e punëdhënësit të tij. “Edhe unë kam fatura dhe kredi për të paguar. UThjesht po lutem që kjo të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur. ”

Në Kosovë, stafi i supermarketeve tha për BIRN se në mes të rritjes së kërkesës për disa produkte të caktuara, ata ishin detyruar të punonin jashtë orarit, pavarësisht se ishin të rraskapitur. Në Rumani, sindikatat që përfaqësojnë punonjësit shëndetësorë dhe oficerët e zbatimit të ligjit janë ankuar se, përveç barrës së madhe që u ka rënë, shumë prej tyre janë të detyruar të punojnë pa pajisjet e nevojshme mbrojtëse dhe se duhet t’i blejnë vetë maskat dhe dorezat.

Të përgatitur për më të keqen

Në Kroaci, ligji i punës i jep një punëdhënësi të drejtën të largojë nga puna një punonjës për arsye biznesi, duke filluar nga rënia e prodhimit, futja e teknologjisë së re ose ndryshimet në treg. Por shkarkimet nga puna duhet të ndjekin procedura të caktuara dhe ata që pushohen nga puna duhet të lajmërohen më parë sipas afateve të caktuara, tha Suncica Brnardiç, oficere projekti në Shoqatën e Sindikatave Autonome të Kroacisë, SSSH.

“Deri më tani kemi marrë ankesa në lidhje me punëdhënësit që nuk respektojnë masat e vendosura shëndetësore dhe të sigurisë dhe mohojnë disa të drejta materiale të garantuara me marrëveshje kolektive”, tha Brnardiç për BIRN. Madje ajo shtoi se situata mund të përkeqësohet.

“Ne mund ta gjejmë veten në një pozicion ku diskutojmë ulje pagash dhe pushime nga puna”, tha ajo. “Gjithashtu, po presim një rritje të largimeve të paligjshme nga puna.”

Në Maqedoninë e Veriut, ligji u jep punëdhënësve të drejtën t’u japin punëtorëve pushime të detyruara nëse ekzistojnë arsye të vlefshme biznesi, tha Zlatko Stojanovski, inspektor në Inspektoratin e Punës, “por në këtë rast punëtorët duhet të marrin një kompensim prej 70 për qind të pagave të tyre”.

“Punëdhënësit,” tha ai për BIRN, ” tani po i nxisin punëtorët e tyre që në fillim të përdorin pushimet e tyre të papërdorura vjetore nga viti i kaluar dhe vetëm atëherë, nëse kjo vazhdon, ata i kalojnë punëtorët në pushime të detyruara.”

Sindikatat thonë se ata do të duhet të kërkojnë kompensim në gjykata.

“Kodi i punës thotë se të gjitha pagesat e papaguara nga punëdhënësit, brenda tre viteve bëhen të vjetëruara, kështu që ne do t’i kërkojmë këto para në gjykata”, tha Dimovski, kreu i Shoqatës së Sindikatave.

Inspektorët të mbingarkuar

Me shtimin e ankesave, disa inspektorate të punës në Ballkan thonë se ata po punojnë sa më shpejt që munden, por e kanë të vështirë ta ndjekin ritmin.

Valon Leci, Kryeinspekto punë në detyrë në Kosovë, tha që inspektorati po merrte ankesa për shkelje në vendin e punës, por tha se me vetëm 37 inspektorë ata nuk mund të mbulojnë të gjithë vendin.

“Këto ditë kemi zgjatur orarin e punës. Madje, po punojmë edhe gjatë fundjavave brenda udhëzimeve që kemi marrë”, tha Leci për BIRN. “Numri i inspektorëve të punës është jashtëzakonisht i vogël në lidhje me punën në terren.”

Zyrat e punës në të gjithë rajonin kanë parë një rritje të numrit të të papunëve. Në Bullgari, rreth 10,000 persona janë regjistruar si të papunë pas vendosjes së masave kufizuese për të luftuar përhapjen e COVID-19, tha qeveria të hënën, duke shënuar një rritje prej 6.3 për qind në normën e përgjithshme. Kroacia pati një rritje të ngjashme – 4.6 për qind ose rreth 6.200 njerëz vetëm gjatë një periudhe dy javore në mars.

Udhëheqësit politikë kanë lajmëruar paketa ndihme për ekonomitë e tyre në vështirësi, me miliona para të caktuara ose të disbursuara tashmë për kredi të buta, heqje taksash dhe shtyrje të kësteve të kredive bankare.

Disa liderë, si presidenti serb Aleksandër Vuçiçdhe anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, kanë kërcënuar se nuk do të ketë paketa ndihme nga shteti për punëdhënësit që pushojnë punëtorët.

Por sindikatat u ankuan se kishte shumë pak mbështetje për më të prekurit.

“Për momentin, autoritetet po flasin kryesisht për punëdhënësit”, tha Ranka Musiç, presidente e Sindikatave të Republikës Srpska në Bosnje, për Radion Europa e Lirë javën e kaluar.

Me sa duket të ndjeshme ndaj kritikave, disa vende kanë njoftuar një valë të dytë masash ekonomike.

Për shembull, në Serbi, Vuçiç tha se shteti do të mbulojë pagat minimale për mikro bizneset dhe bizneset e vogla për tre muaj dhe se afatet për pagesa të taksave do të shtyheshin. Qeveria pritet të bëjë publike zyrtarisht masat javën e ardhshme.

Në Bullgarinë fqinje, Fondi i Papunësisë i Shërbimit Shtetëror të Sigurimeve Shoqërore tha se do të mbulonte 60 për qind të pagave nëse punëdhënësit nuk pushojnë njerëz nga puna dhe bulojnë pjesën tjetër.

Artistë, promovues të artit dhe kuratorë në Bullgari po negociojnë një paketë të ngjashme masash ndihme me Ministrinë e Kulturës, pasi kanë nisur një peticion ku kërkojnë ndihmë shtetërore.

Në Kosovë, qeveria vendosi t’i paguajë punëtorëve të pushuar nga puna dy muaj pagë minimale (170 euro në muaj) plus kontribute pensioni, duke llogaritur se nga kjo mund të përfitonin deri në 240,000 njerëz. Qeveria tha se do të ndante deri në 41 milionë euro për masën.

Në Maqedoninë e Veriut, qeveria tha se do të sigurojë pagat minimale mujore prej rreth 240 eurosh për njerëzit në vështirësi në sektorin privat, përfshirë sportistët, artistët dhe punonjësit e pavarur.

Në Rumani, qeveria u zotua të mbulojë 75 për qind të pagave të punëtorëve të prekur nga izolimi i vendosur për shkak të pandemisë. Sipas Ministrisë së Punës, kriza ka parë deri më tani pezullimin e rreth 200,000 kontratash pune.

Ulje page për “solidaritet”?

Tani për tani, vetëm punët në sektorin publik duken të sigurta, duke pasur parasysh që sektori publik në ish-vendet komuniste të Ballkanit për dekada me radhë është parë si i fryrë dhe i kushtueshëm.

Shumica e liderëve politikë, si Vuçiç i Serbisë, janë zotuar se nuk do të ketë ulje pagash në sektorin publik. Por lideri i socialdemokratëve në pushtet në Maqedoninë e Veriut, ish-kryeministri Zoran Zaev, ka mbrojtur idenë e marrjes së fondeve nga administrata shtetërore për të subvencionuar pagat në sektorin privat.

Punonjësit në administratën shtetërore duhet të pranojnë një pagë minimale prej 240 eurosh në muaj për dy muaj, në mënyrë që e njëjta shumë të mund t’u paguhet edhe atyre në sektorin privat, tha ai.

Megjithatë, ideja po rezultonte e vështirë. Opozita ka dalë kundër saj, ndërsa disa ekspertë juridikë thonë se masa në vetvete mund të shkelë të drejtat.

“E drejta e pronës përfshin të drejtën e të ardhurave personale, kështu që ndërhyrjet në këtë fushë dhe prishja e së drejtës së të ardhurave personale për çdo kategori njerëzish nuk mund të bëhet me lehtësi, pa miratuar një ligj konkret”, tha për mediat gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Mirjana Lazarova Trajkovska.

Kjo tani është në dorën e qeverisë duke qenë se vendi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ashtu si pjesa tjetër e rajonit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments