Tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm në Mianmar shkaktoi të paktën 144 të vdekur dhe 732 të lënduar, sipas shifrave të para të publikuara nga junta ushtarake që qeveris vendin.
Dëme pati edhe në Bangkok, kryeqyteti i Tajlandës, ku u shemb një rrokaqiell në ndërtim e sipër: 3 persona humbën jetën dhe 81 rezultuan të zhdukur nën rrënoja.
Shumica e dëmeve dhe vdekjeve ishin në Myanmar qendrore, në kryeqytetin Naypyidaw dhe qytetet Sagaing dhe Mandalay.Numri aktual i vdekjeve është sigurisht shumë më i lartë, por ende nuk dihet saktësisht, duke pasur parasysh se praktikisht nuk ka asnjë media të pavarur në Mianmar dhe junta ka komunikuar vetëm pak informacion.Nga fotot dhe videot e zonave të prekura, megjithatë, shihen ndërtesa të shumta të shembura apo të dëmtuara rëndë.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se tërmeti ishte me magnitudë 7.7 me epiqendër 18 kilometra në perëndim të Mandalay, i cili është qyteti i dytë më i madh i vendit dhe ndodhet rreth 250 kilometra në veri të kryeqytetit Naypyidaw.
Hipoqendra ishte 10 kilometra e thellë. Junta ushtarake ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në gjashtë nga 14 rajonet e vendit.
Zyra e OKB-së për Çështjet Humanitare tha se raportet fillestare tregonin dëme të konsiderueshme dhe se po mblidhte më shumë informacion. Në orët pas lëkundjes së parë pati të tjera, por me intensitet më të vogël.