www.telegrami.mk
Kriza në NPK Tetova nuk është thjesht problem financiar – është dështim i menaxhimit dhe sinjal i rrezikshëm për atë që mund të vijë më pas. Kur punëtorët mbesin pa paga dhe pa sigurim shëndetësor për muaj të tërë, nuk kemi më të bëjmë me “vështirësi të përkohshme”, por me një sistem që ka dalë jashtë kontrollit.
Deklaratat e Bilall Kasami se “po punohet për zgjidhje” dhe se duhen “të ardhura të jashtëzakonshme” tingëllojnë si justifikim klasik për mungesë përgjegjësie. Borxhet për kontribute nuk janë krijuar brenda natës – ato janë toleruar, janë shtyrë dhe janë neglizhuar. Tani faturën po e paguajnë punëtorët.
Akoma më kontradiktore është deklarata se pagat po jepen “në kohë”, ndërkohë që vetë punëtorët konfirmojnë se nuk i kanë marrë rrogat e janarit dhe shkurtit. Kjo krijon një hendek të qartë mes realitetit në terren dhe narrativës zyrtare.
Por problemi më i madh është drejtimi ku po shkon kjo situatë. Kur një ndërmarrje publike lihet të degradojë financiarisht, hapet rruga për një skenar të njohur: shpallja e paaftësisë dhe më pas dhënia me koncesion e shërbimeve publike. Tetova e ka parë këtë film me mbeturinat. Tani, me këtë logjikë të “nuk ka para”, rreziku është që nesër të vihet në tavolinë edhe uji.
Kjo nuk është reformë – është dorëzim i heshtur i sektorëve jetikë.
Në vend të justifikimeve, qytetarët dhe punëtorët kanë nevojë për përgjigje konkrete:
Ku kanë shkuar kontributet për vite me radhë? Kush mban përgjegjësi për bllokimin e llogarisë? Dhe pse zgjidhja po kërkohet gjithmonë te “paratë që mungojnë”, e jo te përgjegjësia që mungon?
Nëse kjo mënyrë qeverisjeje vazhdon, atëherë nuk është më pyetje nëse do të ketë koncesione të reja – por kur dhe çfarë do të jetë radha tjetër…www.telegrami.m
