Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot ka inspektuar punimet që janë duke u zhvilluar në Banjën e Tetovës. Ai tha se kanë ngelur edhe disa punë, për të përfunduar projekti për banjën.
I pyetur nga Nistori, për mbështetjen e “EcoLife” për mirëmbajtjen e Banjës së qytetit, ai tha se i kanë ofruar mundësi të bashkëpunimit formal, ndërsa shtoi se e njëjta nuk është pranuar nga kjo shoqatë.
“E kemi përkrahur dhe do të vazhdojmë, bile i kemi ofruar edhe bashkëpunim formal në ndërmarrjen komunale. Unë i kam ofruar edhe angazhim në ndërmarrjen komunale, që ai të vazhdojë me punën që e bën dhe për këtë të ketë mbulesë financiare. Por ai i di arsyet se pse nuk ka qenë i gatshëm të jetë i angazhuar”, tha mes tjerash Kasami.
Ndërsa në lidhje me punët tjera në Banjën e Tetovës, ai tha se zhveshtorja do të jetë gati në fundjavë.
“Zhveshtorja do të jetë gati brenda fundjavës, edhe për rregullimin e parkut të gjitha punët janë të kontraktuara. Pjesa e mburojës në shtratin e lumit, ende nuk kemi zgjidhje, pasi nuk është paraparë në projektin fillestar”, tha Kasami.
Ai foli edhe për zgjedhjet për këshillin e Komunës së Tetovës, ndërsa shtoi se partia e tij është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë ata që ia duan të mirën qytetarëve. /Nistori