Borxhi i Komunës së Tetovës së bashku më shkollat dhe ndërmarrjet publike kap vlerën e mbi 15 milionë eurove. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, transmeton Portalb.mk.
“Kemi arritur që borxhin e Komunës së Tetovës si komunë me të gjitha institucionet në kuadër të komunës ta ulim për 9 milionë euro, pra nga 24 milionë sa e identifikuar nga momenti jonë në ardhje të kryes së komunës, tani për momentin borxhi i komunës së bashku me shkollat, çerdhet, dhe ndërmarrjet komunale është 15,310,000 euro”, tha Kasami.
Kasami madje tregoi edhe shifrat se kush sa borxh ka.Kasami tha se totali i borxhit është 15,310,000 euro, megjithatë nga mbledhja e shifrave që ai bëri ndaras për komunën dhe institucionet rezulton se borxhi është 15,205,418 euro, apo 104 mijë euro më pak.
Kërkuam të dhënat e detajuara nga komuna për borxhin, por nga atje thanë se do t’i bëjnë publike në detaje.

Komuna e Tetovës vazhdon të mbetet një nga institucionet publike me borxh më të madh në vend.
Në fund të tremujorit të dytë të 2024, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Tetova kishte 9,9 milionë euro detyrime të prapambetura, por të papaguara, dhe për këtë arsye renditet e 13-ta në listën e re të institucioneve shtetërore me borxhe.
Kujtojmë që Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës përfshirë ndërmarrjet publike dhe shkollat kur u publikua në fund të muajit nëntor 2021 ishte mbi 24 milionë euro, prej të cilave Komuna me mbi 14 milionë euro.