Pak ditë para mbajtjes së seancës së Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet Ligji për Gjuhët, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ftoi anëtarët e kësaj gjykate të mos i tejkalojnë kompetencat dhe me vendimet e tyre mos të dëmtojnë raportet ndëretnike.
“Ne i bëjmë ftesë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të mos dalin jashtë kompetencave të tyre dhe të mos futen në tema politike dhe tema të cilat dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend. Çdo e drejtë e komuniteteve, në këtë rast e shqiptarëve është fituar me mund, por në momente të caktuara edhe më gjak dhe nuk besoj që i ndihmon askujt çdo vendim i cili do të degradojë të drejtat e shqiptarëve. E dimë që gjuha e çdo populli është vlerë shtesë për një shtet, prandaj unë edhe njëherë kërkoj nga gjykatësit kushtetues, që para interesave të disa grupacioneve të cilët nuk i’a duan të mirën këtij vendi, t’i vendosin interesat e RMV-së, interesat e shtetit në të cilin jetojmë dhe për të cilin duhet të kujdesen edhe ata me përgjegjësit të cilat i kanë marrë”, tha Kasami.