Bilall Kasami lideri i Lëvizjes Besa dhe partner zyrtar i LSDM-së në zgjedhjet që priten të mbahen ,i ka replikuar BDI-së nëpërmes FB
Dështimet e 18 viteve qeverisje nuk mund të mbulohen duke lëshuar “një grusht miza” për kërkesa të cilat janë të definuara me ligj se si formohen qeveritë. Idenë e hedhur nga kryetari i BDI-së për kryeministër shqiptar në këto rrethana kur veçmë kemi të caktuara listat e kandidatëve për deputet si dhe proces zgjedhor të pauzuar, e llogarisim si populliste dhe vetëm për përfitime të pak poenave politike. Hedhja e kësaj ideje në këtë moment më shumë i ngjan arsyetimit se BDI do shkojë në opozitë dhe para votuesve të vet të arsyetohet se “ja nuk na dhanë kryeministrin dhe ne duhet të dalim në opozitë”.
Që shqiptarët në të ardhmen edhe mund të kenë kryeministër në Maqedoninë e Veriut kjo nuk diskutohet, por ky me siguri nuk do të jetë nga rradhët e BDI-së derisa ata nuk po luftojnë krimin dhe korrupsionin brenda tyre. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut tashmë e një periudhë më të gjatë në shumicë më të madhe turpërohen të identifikohen me politikat dhe politikanët brenda BDI-së të cilët nëpërkëmbën gjithçka shqiptare gjatë 18 viteve qeverisje.
Dielli nuk mbulohet me shoshë, ashtu si dështimet e BDI-së nuk mund të mbulohen vetëm me hedhjen e një ideje për kryeministër shqiptar në konteksin kohor dhe momentumin politik që ndodhemi tash.