Presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që i kërkon Korporatës për Transmetimin Publik (CPB) të ndalojë financimin federal për dy transmetuesit më të mëdhenj publikë në SHBA, të cilët janë përballur me një sërë sulmesh nga Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit republikanë që i akuzojnë për raportim të njëanshëm.
Urdhri i nënshkruar dje, me titullin “përfundimi i subvencionimit nga taksapaguesit të mediave të njëanshme”, i udhëzon anëtarët e bordit të CPB-së të ndërpresin financimin e drejtpërdrejtë për këta transmetues, për aq sa e lejon ligji, dhe të mos ofrojnë financime në të ardhmen. Ai gjithashtu kërkon nga bordi të marrë masa për të “minimizuar ose eliminuar” financimin indirekt nga stacione të tjera publike radiofonike dhe televizive që mund të mbështesin NPR ose PBS.Urdhri udhëzon gjithashtu Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., të hetojë NPR dhe PBS për diskriminim të mundshëm në punësim dhe u kërkon drejtuesve të të gjitha agjencive të tjera federale që të “identifikojnë dhe ndërpresin” çdo formë financimi, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, për këto organizata mediatike, sipas asaj që lejon ligji.CPB ka paditur administratën Trump këtë javë pasi tre nga pesë anëtarët e bordit të saj u shkarkuan me email, shkruan cnn.
Çdo vit, CPB shpërndan 535 milionë dollarë nga fondet e taksapaguesve për stacione publike radiofonike dhe televizive.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se së shpejti do t’i kërkojë Kongresit të tërheqë fondet që janë ndarë tashmë për CPB për dy vitet e ardhshme.
Kongresi e krijoi enkas CPB-në si një ent privat “për të ofruar mbrojtje maksimale nga ndërhyrjet dhe kontrolli i jashtëm”, sipas një ligji të miratuar në vitin 1967.
Legjislacioni ndalon në mënyrë të qartë qeverinë të ushtrojë “çdo drejtim, mbikëqyrje apo kontroll mbi transmetimin edukativ televiziv ose radiofonik”.
Ndryshe, “Reporterët pa Kufij” tani e rendisin lirinë e shtypit në SHBA si “problematike”, duke shënuar pozicionin e saj më të ulët ndonjëherë – në të njëjtin nivel me vende si Gambia dhe Sierra Leone. SHBA-ja aktualisht renditet në vendin e 57-të në botë. /Telegrafi/