Presidenti Joe Biden fali djalin e tij Hunter të dielën mbrëma duke shmangur një dënim të mundshëm për të, në një veprim që bie ndesh me premtimet e tij të kaluara se nuk do të përdorte kompetencat e jashtëzakonshme të presidencës në interes të anëtarëve të familjes së tij.
Hunter Biden ishte shpallur fajtor për vepra penale federale lidhur me posedimin në mënyrë të paligjshme të një arme zjarri dhe mospagim taksash.
Presidenti demokrat kishte thënë se nuk do ta falte djalin e tij dhe nuk do t’ia zbuste dënimin pas shpalljes së tij fajtor të dy rasteve në shtetet e Delauerës dhe Kalifornisë.
Lëvizja e tij vjen disa javë përpara se Hunter Bidenit t’i jepej dënimi pasi u shpall fajtor për rastin e armëmbajtjes dhe pranimit të fajit për akuzat e lidhur me taksat, si edhe më pak se dy muaj përpara se presidenti i zgjedhur Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Falja nga i ati i jep fund një sage ligjore për Bidenin e ri, i cili bëri të ditur publikisht se ishte nën hetim federal në dhjetor 2020 – një muaj pas fitores së babait të tij – dhe hedh një hije mbi trashëgiminë e presidentit Biden.
Biden, i cili vazhdimisht ishte zotuar para amerikanëve se do të rivendoste normat dhe respektin për sundimin e ligjit pas mandatit të parë të Trumpit, përfundimisht e përdori pozicionin e tij për të ndihmuar djalin e tij, duke shkelur premtimin e tij publik ndaj amerikanëve se nuk do ta bënte një gjë të tillë.
Në qershor, Biden përjashtoi kategorikisht mundësinë e një faljeje për djalin e tij, duke u thënë gazetarëve se “unë do t’i përmbahem vendimit të jurisë. Këtë do të bëj dhe nuk do ta fal.”