Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit, Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit, pasi ai me grupimi i tij politik do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Më tej Berisha ka treguar sesi do të hyjë në zgjedhje duke iu referuar vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, i cili në 25 mars të vitit 2022, i dha selinë dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës, duke konfirmuar Kuvendin 11 Dhjetorit.
“Vetëkuptohet, nesër do të dorëzojmë të gjitha dokumentet për regjistrim. Vendimi i gjykatës deri sa të vendosë gjykata më e lartë, sepse ky vendim është plotësisht i rikursueshëm në natyrën e tij. Por ka një arsye tjetër po kaq të fortë. Kodi zgjedhor në nenin 64, pika 2, b; përcakton që partia politike të regjistrohet, detyron që të jetë emri i kryetarit të Partisë, Adresa dhe gjithçka tjetër rreth tij”, ka thënë Berisha.
Berisha ka pretenduar se KQZ-ja nuk do të refuzojë kërkesën e grupimit të tij politik për t’u regjistruar në zgjedhje dhe se do t’i përmbahet ligjeve dhe Kodit Zgjedhor.