Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka kërkuar sot mbështetjen e kreut të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), reis Shaqir Fetahu, për respektimin e masave të kursimit të energjisë elektrike nga ana e BFI-së dhe besimtarët e tij. Ai njoftoi se do të bisedojë edhe me Kishën Ortodokse Maqedonase për mbështetje në aktivitetet për përballimin e krizës energjetike. Qëllimi është të reduktohet konsumi dhe të lirohet më shumë energji elektrike për industrinë.
“Çdo mesazh që del nga BFI do të jetë një mbështetje e madhe dhe do të ndahet nëpër xhami për të gjithë besimtarët, qofshin shqiptarë, turq… Është shumë e rëndësishme sepse çdo kursim ndihmon buxhetin e familjes, si dhe i ndihmon institucionet edhe në uljen e kostove, por edhe në nevojat për konsum për faktin se kemi konsum të caktuar që është në tregun e rregulluar dhe tjetrin në tregun e lirë, për të liruar sasitë që mund të përdoret për të ndihmuar industrinë që krijon vende pune dhe në mënyrë që të mos shkurtohen të ardhurat në familjet tona, tha Bekteshi.
Nga ana e tij, Fetahu apeloi që të gjithë qytetarët në këto momente të vështira të jenë të vetëdijshëm për rolin dhe kontributin që mund të kenë. Ai ka bërë të ditur se menjëherë do të marrin masa për racionalizimin e konsumit të energjisë elektrike, ndonëse, siç theksoi, janë të kujdesshëm në atë pjesë.
“Kemi mbi 700 objekte, 13 myfti, do të diskutojmë me të gjithë se si të kontribuojmë për këtë dhe unë si kryetar i BFI-së do të jem çdo të premte së bashku me kolegët dhe besimtarët e mi për të folur për këtë temë dhe një rrugëdalje nga kriza, tha Fetahu.
Siç ka bërë të ditur Bekteshi, ekipi i tij sot është duke biseduar me KOM-in për të caktuar datën e takimit për këtë temë dhe pret që të mbahet këtë javë.