Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi siguron se inflacioni këtë vit do të jetë më i ulët se rritja e pagave, duke përfshirë pagën minimale dhe pagën mesatare. Ai i bëri thirrje Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës që ta hetojë rastet e keqpëdorimeve.
Shporta e konsumatorit në tregjet botërore gati 11 muaj është më e lirë se vitin e kaluar, kurse në Maqedoninë e Veriut është 25 për qind më e shtrenjtë. E për këtë Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë duke folur në këtë drejtim dhe për çmimet e bukës njoftoi se në qytetin e Shkupit, në sferën e prodhimit të bukës, janë bashkuar disa kompani dhe përcaktojnë çmimet me të cilat e shpërndajnë dhe e shesin bukën nëpër supermarkete të mëdha. Ai i bëri thirrje Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës që ta hetojë rastet.
Jam i bindur, ky është mendimi im personal, se në qytetin e Shkupit në sferën e prodhimit të bukës janë bashkuar katër, maksimumi pesë kompani dhe përcaktojnë çmimet me të cilat e shpërndajnë dhe e shesin bukën nëpër supermarkete të mëdha. Në brendësi të Maqedonisë çmimet janë më të ulëta se 32 denarë dhe këtë e tregojnë raportet ditore që vijnë në Ministrinë e Ekonomisë. Ne si Ministri e Ekonomisë nuk do të lejojmë një punë të tillë përderisa kemi mekanizma për të vepruar në përputhje me Ligjin për Tregti” – deklaroi Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi siguron se inflacioni këtë vit do të jetë më i ulët se rritja e pagave, duke përfshirë pagën minimale dhe pagën mesatare.
”Inflacioni i përgjithshëm nuk vjen vetëm nga produktet ushqimore. Ne po ndërhyjmë në sektorin e energjisë, do të ndërhyjmë në produktet ushqimore bazë, por sigurisht që ka edhe sektorë të tjerë që do të duhet të bëjnë punën e tyre. Inflacioni këtë vit do të jetë më i ulët se rritja e pagave, duke përfshirë pagën minimale dhe pagën mesatare” – deklaroi Kreshnik Bekteshi.
Lidhur me rritjen e çmimeve Bekteshi nuk don të bëj krahasime me rajonin. Sipas tij, Enti i Statistikave punon sipas një metodologjie të përafruar plotësisht me Bashkimin Evropian. Mënyra se si merren mostrat për të përcaktuar një përqindje të caktuar të rritjes ose uljes së çmimeve mund të ndryshojnë midis vendeve, veçanërisht vendeve joanëtare të BE.