Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar Kooperativën Bujqësore “Krusha”, ku u prit nga drejtuesja, Fahrie Hoti.
Pretendenti për të parin e ekzekutivit ju premtoi të punësuarve aty që do të kenë mbështetje bizneset si një nga pikat në programin e tij qeverisës.
Hamza u njoh me sfidat dhe nevojat e punës në këtë biznes.Në fund të vizitës, aktualisht kryetari i komunës së Mitrovicës, u kujdes të bëjë disa blerje nga turshitë e bëra gati nga gratë e punësuara aty.
“Gratë e Krushës janë simbol i guximit, punës dhe këmbënguljes. Nga kultivimi i produkteve bujqësore që e filluan për mbijetesë, ato arritën të ndërtojnë një biznes shumë të suksesshëm. Ne do ta zgjerojmë përkrahjen përmes subvencioneve dhe granteve investive për prodhimtarinë bujqësore, përpunimin, përmirësimin e teknologjisë dhe do të ndërtojmë qendra grumbulluese për ruajtjen, klasifikimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore. Edhe sigurimi i kulturave bujqësore është i domosdoshëm dhe do ta bëjmë! Puna e Fahrijes dhe e grave të Krushës nuk është thjesht një punë e zakonshme, por frymëzim për të gjithë ne”, ka shkruar Hamza.