Kundërshtohet krijimi i këshillit të ndarë gjyqësor dhe prokurorial
Bashkimi Europian kësaj radhe ka paralajmëruar edhe masa që mund të ndërmarrë kundër atyre të cilët rrezikojnë unitetin e vendit dhe funksionimin e institucioneve.
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj liderit të serbëve në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik edhe në BE ishin paraqitur ide që Bashkimi Europian të ndiqte të njëjtën rrugë. Këtë ide e kishte paraqitur edhe Gjermania. Por në BE nuk ka pasur pajtim nga të gjitha vendet anëtare për një gjë të tillë, sepse ato duan t’i japin mundësi dialogut.
Megjithatë tani rritet presioni që edhe Bashkimi Europian të marrë masa ndaj atyre që i sheh si përgjegjës për rrezikimin e unitetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës.
Millorad Dodik edhe në të kaluarën ka kërcënuar me shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnje e Hercegovina. Projektligji për krijimin e këtij këshilli në Republikën Srpska, që ligjvënësit e mbështetën në seancën e së enjtes, është antikushtetues sepse transferon kompetencat nga niveli shtetëror i Bosnje-Hercegovinës në nivel të entitetit të Republikës Srpska.
Një vendim të tillë, pra për kalimin e kompetencave nga niveli i shtetit te një nivel më i ulët i qeverisjes, mund ta marrë vetëm parlamenti i Bosnje-Hercegovinës. Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja e Dejtonit dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.
Klan News