Sot në mëngjes, Bashkimi Evropian zyrtarisht u pajtua për pakon e katërt të sanksioneve kundër Rusisë. Raundi i ri i sanksioneve, i cili hyn në fuqi sot, kërkon kufizime për një numër oligarkësh, ndalesë të shitjes së mallrave luksoze të eksportuara në Moskë dhe do të godasë disa kompani mbrojtëse.
Ambasadorët e BE-së ranë dakord dje për një pako të katërt sanksionesh pas pushtimit rus të Ukrainës tre javë më parë. Sanksionet do të futen zyrtarisht pasi të publikohen në Gazetën Zyrtare të BE-së më vonë gjatë ditës.
Presidenca franceze e Këshillit të BE-së kumtoi se statusi tregtar i Rusisë si “kombi më i privilegjuar” në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) gjithashtu do të revokohet. Përveçse një lëvizje simbolike, kjo mund të hapë derën për kufizime shtesë përmes tarifave doganore dhe kuotave të importit.
“Pakoja e re e sanksioneve evropiane kundër Rusisë do të prekë më shumë se 600 rusë”, tha sot ministri francez i financave Bruno Le Mer para fillimit të takimit të ministrave të financave të 27 vendeve të BE-së në Bruksel, transmeton TASS.
Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen ka thënë më parë se BE-ja po punon për të pezulluar të drejtat e anëtarësimit të Rusisë në institucionet kryesore shumëpalëshe, duke përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Kjo do të lejon Unionin të ndalojë ose të vendoste tarifa ndëshkuese për mallrat ruse, të ngjashme me ato të bëra me Korenë e Veriut ose Iranin.
Pakoja, gjithashtu, do ta shtojë pronarin e klubit të futbollit Çelzi, Roman Abramoviç dhe 14 të tjerë në listën e BE-së të miliarderëve rusë të sanksionuar, thanë më herët diplomatët e BE-së, transmeton Euroactik. Abramoviç u sanksionua në Britaninë e Madhejavën e kaluar, si dhe industrialisti rus Oleg Deripaska, i cili aktualisht nuk është në listën e BE-së.
Disa figura të shquara në mediat ruse të kontrolluara nga shteti janë gjithashtu në listën e re të sanksioneve të BE-së. Gjithashtu, duhet të shtohen edhe nëntë kompani, kryesisht aktive në sektorin e mbrojtjes dhe atë ushtarak.
Ndalesa pasoi pas bisedimeve midis krerëve të BE-së në Versajë të enjten dhe të premten.
“Siç lufta e Presidentit (Vladimir) Putin kundër popullit ukrainas vazhdon, po ashtu vazhdon vendosmëria jonë për të mbështetur Ukrainën dhe për të sakatuar financimin e makinerive ushtarake të Kremlinit. Kjo pako e katërt sanksionesh është një tjetër goditje e madhe për bazën ekonomike dhe logjistike në të cilën Rusia mbështetet për të pushtuar Ukrainën. Qëllimi i sanksioneve është të ndalojë presidentin Putin nga kryerja e kësaj lufte çnjerëzore dhe të pakuptimtë, tha Zhozep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së për Punët e Jashtme.