Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Tetovën që ta afrojë atë pranë Evropës me anë të projekteve dhe nismave të ndryshme. Ky ishte mesazhi të cilin ambasadori i BE-së në vend Mihalis Rokas përcolli sot nga Komuna e Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Ambasadori theksoi se kanë bashkëpunim të gjatë dhe të suksesshëm me komunën në shumë fusha që prekin jetën e përditshme, qoftë projekti i BE-së për ajër të pastër, qoftë ai për menaxhimin e ujërave të zeza apo projektet e tjera që zbatojnë, pavarësisht nëse ka të bëjë me digjitalizimin, startup-et apo ndërtimi i çerdheve.
“Kam pasur edhe një diskutim me këshillin komunal, shumë pikëpamje shumë ide. Çështjet ndërkufitare janë gjithashtu të rëndësishme, përmirësimi i kalimeve, mund të ketë fonde të BE-së në dispozicion”, tha Rokas.
Ai shtoi se do të vijë më shpesh për të parë progresin e projekteve të BE-së
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se kjo vizitë e ambasadorit ishte më shumë se formale dhe me shumë aktivitete
“Diskutuam të gjitha projektet që janë në realizim e sipër dhe të cilat bashkëfinancohen nga fondet evropiane, janë disa projekte të tilla të cilat janë shumë të rëndësishëm për Tetovën dhe qytetarët e saj. Nuk do t’i përmend të gjitha, do të përmend një i cili është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kompanive që do ta realizojnë këtë projekt dhe ka të bëjë me trajtimin e ujërave të zeza për Tetovën, pra kolektori dhe filtër stacioni që veç më është në fazën e vlerësimit të ofertave. Është një projekt që e kalon shumën e 50 milionë eurove, është një nga projektet më të rëndësishme në të gjithë historinë e Komunës së Tetovës”, tha Kasami.
- Ambasadori ka pasur takim edhe me Këshillin Komunal.
- Më pas euroambasadori së bashku me ministrin e Transformimit Digjital Stefan Andonovskin në Europe House Tetovë prezantuan Programin e Evropës Digjitale (DIGITAL) të financuar nga BE-ja, që synon të formësojë transformimin dixhital të shoqërisë dhe ekonomisë europiane
- Maqedonia e Veriut nënshkroi marrëveshjen e asocimit për DIGITAL me Komisionin Europian më 30 qershor 2023
- Bizneset, administratat publike dhe organizatat e tjera tani mund të kenë qasje në thirrjet e DIGITAL dhe të marrin pjesë në projektet e financuara nga BE-ja që vendosin teknologji digjitale në fusha të tilla si inteligjenca artificiale dhe aftësi të avancuara digjitale. Buxheti i përgjithshëm i DIGITAL për periudhën 2021-2027 është 7.5 miliardë euro.
- Pasdite Rokas do të hapë zyrtarisht “Qendrën Akceleratori 700” të financuar nga BE-ja së bashku me rektorin e UEJL-së Abdylmenaf Bexheti, dhe drejtorin e GIZ-it David Oberhuber.
- Akceleratori rezulton nga programi i BE-së për Rritje Ekonomike të financuar nga BE-ja që zbatohet nga GIZ-i dhe lidh start-up-et inovative me investitorët dhe mentorët potencialë në rajonin e Pollogut.
- Ambasadori do të ketë takime edhe me personalitete tjera të njohura nga Tetova.