Në projektligjin e ri, Komisioni Evropian fokusohet në mundësinë e futjes së një detyrimi për prodhuesit e smartfonëve dhe tabletëve për t’i bërë pajisjet e tyre më të qëndrueshme dhe më të lehta për t’u riparuar.
Qëllimi i këtij projektligji është të kufizojë mbetjet elektronike dhe Komisioni Evropian pretendon se do të çojë në një reduktim të mbetjeve të karbonit ekuivalent me 5 milionë makina në rrugë.
Projektligji fokusohet te bateritë dhe pjesët e këmbimit dhe prodhuesit do të detyrohen të ofrojnë të paktën 15 komponentë kryesorë për secilën pajisje pesë vjet pas prezantimit. Këto pjesë do të përfshijnë bateri, ekrane, karikues, panele të pasme dhe vende për memorie dhe karta SIM.
Për më tepër, një nga qëllimet e ligjit të propozuar është që prodhuesit të sigurojnë që bateritë të kenë kapacitet 80 për qind pas një mijë cikleve të karikimit ose të sigurojnë disponueshmërinë e baterive për një periudhë prej pesë vjetësh. Përmirësimet e softuerit nuk duhet të kenë një ndikim negativ në jetëgjatësinë e baterisë.
ECOS (Koalicioni Mjedisor mbi Standardet) tha se ligji ishte i arsyeshëm dhe inkurajues, por duhej të shkonte më tej. Ky organ beson se klientëve duhet t’u garantohet zëvendësimi i baterive në një cikël prej pesë vitesh dhe se bateria do të zgjasë të paktën një mijë cikle të plota të ngarkimit. Gjithashtu, klientët duhet të jenë në gjendje të riparojnë pajisjet e tyre pa kërkuar ndihmë profesionale.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Komisioni do të prezantojë etiketa të reja, të ngjashme me ato për televizorët, makinat larëse dhe pajisjet e tjera elektronike shtëpiake. Këto shenja do të tregojnë se sa e qëndrueshme është pajisja, sa e mbrojtur është nga uji dhe pluhuri, sa rezistente është ndaj rënies dhe sigurisht sa e qëndrueshme është bateria gjatë ciklit jetësor të pajisjes.