Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani në deklaratën pas përfundimit të takimit të sotëm të shefave të diplomacisë, të mbajtur në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit, paralajmëroi se kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen do ta sjellë javën e ardhshme në Shkup pakon për mbështetje energjetike.
“Kisha rastin të takohem edhe me komisarin për zgjerim, Oliver Varheji i cili dha një lajm jashtëzakonisht pozitiv, pra pakon e mbështetjes energjetike që do të paralajmërohet me ardhjen e kryetares së Komisionit Evropian javën e ardhshme në Shkup, para së gjithash ndihmë për tejkalimin e problemeve aktuale lidhur me furnizimin me rrymë dhe çmimet e larta për industrinë dhe amvisëritë”, deklaroi Osmani.
Në fjalimin e tij, ministri Osmani madje u është referuar sfidave me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut dhe masave të ndërmarra për zgjidhjen sa më shpejtë të tyre. Theksoi se ajo që konsiderohet e rëndësishme për ne është nga njëra anë, iniciativa që procesi i Berlinit të sigurojë lidhshmëri me proceset e BE-së, por njëkohësisht të sigurojë komplementaritet të ndërsjellë përmes shkëmbimit të përvojave pozitive midis vendeve.
Lidhur me takimet bilaterale, përveç atij me Varhejin, ai ka përmendur edhe takimin me kolegun e tij bullgar, Nikolai Milkov.
“Kisha një takim të rëndësishëm edhe me kolegun tim Millkov nga Bullgaria, ku diskutuam mbi zhvillimet aktuale në marrëdhëniet midis dy vendeve me çka konkluduam se asnjë nga provokatorët nuk duhet të rrëmbejë agjendën e rëndësishme që kemi dakorduar mes dy vendeve”, tha Osmani.