18.4 C
Tetovo
E enjte, 24 Korrik, 2025
BallinaLajmeBotaBE dhe SHBA pranë marrëveshjes për tarifa doganore 15%, Trump pritet të...

BE dhe SHBA pranë marrëveshjes për tarifa doganore 15%, Trump pritet të japë OK

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë drejt një marrëveshjeje tregtare për një tarifë doganore 15 % për importet nga Europa, e ngjashme me paktin që presidenti Donald Trump arriti këtë javë me Japoninë.

Financial Times shkruan se Brukseli mund të pranojë të ashtuquajturat tarifa doganore reciproke për të shmangur kërcënimin e Trump për t’i rritur ato në 30 për qind nga 1 gushti, duke iu referuar tre burimeve të cilët janë familjar me situatën.“Marrëveshja me Japoninë e bëri të qarta kushtet e presionit,” tha një diplomat i BE-së. “Shumica e vendeve anëtare po mbyllin sytë dhe mund ta pranojnë këtë marrëveshje.”
Sipas burimeve, të dyja palët do të heqin tarifat për disa produkte, përfshirë avionët, pijet alkoolike dhe pajisjet mjekësore.Komisioni Europian — institucioni që menaxhon politikat tregtare të BE-së — informoi të mërkurën ambasadorët e vendeve anëtare, pas raundit të fundit të bisedimeve me përfaqësuesit amerikanë.

Lajmi për marrëveshjen e mundshme ndikoi menjëherë në tregje: euroja rimori humbjet dhe u stabilizua ndaj dollarit, ndërsa indeksi S&P 500 në SHBA shënoi rritje prej 0.6 për qind.

Eksportuesit europianë po paguajnë prej prillit një tarifë shtesë prej 10 për qind për mallrat që eksportojnë në SHBA, përveç tarifave ekzistuese që janë mesatarisht 4.8 për qind.

Burimet sqarojnë se tarifa e re doganore 15 për qind përfshin edhe këto taksa të mëparshme, ndaj Brukseli e sheh marrëveshjen si një formalizim të status quo-së. Tarifat për automjetet, aktualisht 27.5 për qind, do të bien gjithashtu në 15 për qind.

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se shpreson të arrihet shumë shpejt një marrëveshje për t’i dhënë fund përplasjes tregtare mes BE-së dhe SHBA-së

“Po shpresojmë në këtë çast që të merret një vendim,” tha Merz në Berlin, ku priti presidentin francez Emmanuel Macron për bisedime dypalëshe.

Më herët këtë vit, Trump vendosi tarifa të larta për makinat dhe pjesët e këmbimit, duke përdorur ligje të lidhura me sigurinë kombëtare. BE ka kërkuar me ngulm përjashtime për prodhuesit europianë të makinave.

Dy nga burimet konfirmuan se marrëveshja me Japoninë i ka shtyrë vendet e BE-së drejt një pranimi të vështirë, për të shmangur një luftë tregtare më të madhe.

Sidoqoftë, BE mbetet e gatshme të kundërpërgjigjet nëse Trump shkon më tej dhe zbaton kërcënimin për të rritur tarifat reciproke në 30 për qind nga 1 gushti.

Në këtë rast, mund të aktivizohet mekanizmi kundër-shtrëngues (ACI) — mjeti i ashtuquajtur “bazuka tregtare” i BE-së. I paparë më parë në veprim, ACI do t’i jepte Brukselit të drejtën për të ndaluar kompanitë amerikane të marrin pjesë në tendera publikë, për të pezulluar mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe për të kufizuar importet apo eksportet.

Sipas të njëjtave burime, BE po përgatit gjithashtu një paketë tarifash hakmarrëse prej 93 miliardë euro, me norma deri në 30 për qind, në rast se nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 gusht.

Një zyrtar amerikan tha për “Financial Times” se situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të ndryshojë në çdo moment./ FT/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments