Dega e BDI-së në Zhelinë ka ngritur alarmin për gjendjen kritike financiare të komunës. Sipas tyre dhe të dhënave zyrtare, komuna e Zhelinës është futur në një krizë të thellë me mbi 6 milionë euro borxh, ndërsa për më shumë se dy vite nuk janë paguar këshilltarët komunalë.
Zhelina rrezikon bllokim total institucional. Kjo situatë është pasojë direkte e keqmenaxhimit nga ana e kryetarit aktual, Blerim Sejdiu, i cili përmes kontratave në vepër ka punësuar militantë të Lëvizjes BESA, duke rënduar edhe më shumë financat e komunës.
Nga BDI thonë gjithashtu se përpos borxhit, komunës disa herë i është ndërprerë edhe rryma dhe disa herë banorët e Zhelinës kanë ngelur edhe pa ujë të pijshëm.
Përveç borxhit të akumuluar, anketat e fundit tregojnë rënie të mbështetjes për Blerim Sejdiun, si pasojë e keqpërdorimit të mjeteve publike, por edhe nga efekti negativ që ka pasur bashkëpunimi VLEN – VMRO ku shtypen shqiptarët dhe ndalohet gjuha shqipe të flitet në institucionet shtetërore.
BDI paralajmëron se banorët e Zhelinës mund të përballen me pasoja të rënda, përfshirë ndërprerjen e shërbimeve bazë dhe paralizimin e funksionimit të komunës.