Veton Osmani nga dega e BDI-së në Tetovë, sot ka treguar masat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për uljen e papunësisë. Ai tha se në vitin 2023 me masat e punësimit janë përfshirë 12.684 persona, prej të cilëve 16 përqind kanë qenë në Tetovë.
“Në planin operativ për masat për punësim në vitin 2023, kemi përcaktuar masat që synojnë uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Bartëse e këtij plani është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa për zbatimi i tij është nën kompetencat e Agjencisë për Punësim i RMV-së. Vitin e kaluar me masat e punësimit janë përfshirë 12.684 persona të papunë, 3.128 persona juridik. Në Tetovë janë përfshirë 1.996 ose përafërsisht 16 përqind”.
“Si programe më të rëndësishme do të theksoja mbështetjen e vetpunësimit dhe mbështetjen e krijimit të vendeve të reja të punës. Në vitin 2023 për vetpunësim janë përkrahur 2.100 persona të papunë, prej të cilëve 19 përqind janë nga rajoni i Tetovës”, tha Osmani.
Ai theksoi se së shpejti do të miratohet edhe plani për masat e punësimit për vitin 2024, në të cilin do të ketë edhe trajnime, ndërsa i ftoi të rinjtë të aplikojnë./Telegrafi/