Pas lajmit se hetimi për zjarrin në Koçan po zgjerohet me 23 të dyshuar të rinj dhe se janë arrestuar ish-ministra të ekonomisë dhe drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, BDI-ja është përgjigjur, duke theksuar se populli shqiptar në vend është nën sulm nga institucionet e shtetit të vet.
“Sot, populli shqiptar në vend është nën sulm nga institucionet e shtetit të tij, të cilat janë plotësisht të kapura nga interesat politike dhe etnocentriste të Qeverisë.
Për t’u mbrojtur, Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Prokurori i Shtetit e kanë drejtuar njëanshëm hetimin kundër shqiptarëve që kanë qenë pjesë e institucioneve të sistemit në çfarëdo forme dhe në çdo kohë.Deklarojmë qartë se sot kundër shqiptarëve është shpallur një agresion i njëanshëm dhe i padrejtë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për BDI-në, partitë shqiptare në pushtet, apo shqiptarët në përgjithësi.
Kjo nuk është drejtësi, kjo është hakmarrje për përfshirjen e shqiptarëve në proceset institucionale!
BDI do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e këtij sulmi dhe për të siguruar drejtësi për popullin shqiptar në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së.