Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me zhvillimet e fundit në qytetin e Kërçovës, duke shprehur shqetësimin për, siç thuhet në deklaratë, përpjekjet e përsëritura për ta kthyer betejën zgjedhore në një garë etnike dhe jo në përballje idesh e vizionesh informon Tetovasot.
Në deklaratë, BDI thotë se sa herë që shqiptarët janë bërë faktor vendimmarrës në këtë qytet, janë aktivizuar mekanizma të errët për t’i përçarë dhe diskredituar përfaqësuesit politikë shqiptarë. “Kur nuk munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë ‘fakte’ dhe i shpërndajnë me një qëllim të vetëm – që qytetari të humbasë besimin te politika,” thuhet në reagim.
Partia shpreh bindjen se qytetarët e Kërçovës do ta njohin propagandën dhe do të refuzojnë grackat e manipulimit. “Kërçova nuk do të bjerë në këtë grackë. Qytetarët tanë janë të mençur, dinë të dallojnë propagandën e fabrikuar nga realiteti,” shton më tej BDI, duke theksuar se përkushtimi i saj do të vazhdojë me qetësi, dinjitet dhe respekt për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike.
Në fund të deklaratës, BDI bën thirrje për maturi dhe verifikim të kujdesshëm të çdo materiali që qarkullon, veçanërisht kur bëhet fjalë për audio-përmbajtje. “Vetëm pas një vlerësimi të qartë dhe të besueshëm nga institucionet apo ekspertët përkatës mund të flitet me përgjegjësi mbi përmbajtjen e tij,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se çdo koment i parakohshëm është spekulativ dhe potencialisht i dëmshëm.TS
Reagimi i plotë i BDI-SË:
Fatkeqësisht, beteja për Kërçovën po shndërrohet sërish në një garë etnike, në vend që të mbetet një përballje idesh dhe vizionesh për qytetin. Sa herë që shqiptarët në Kërçovë janë bërë faktor vendimmarrës, janë aktivizuar mekanizmat e nëntokës – laboratorët e shërbimeve që punojnë në errësirë – për t’i ndarë, për t’i përçarë dhe për t’i diskredituar përfaqësuesit e tyre politikë.
Ne e njohim mirë këtë skenar: kur nuk mund të munden me ide, kur nuk kanë projekt, shpikin skandale, montojnë biseda, fabrikojnë “fakte”, dhe i shpërndajnë me qëllim të vetëm – që qytetari të humbasë besimin te politika dhe të qëndrojë në shtëpi ditën e vendimit.
Kërçova nuk do të bjerë në këtë grackë. Qytetarët tanë janë të mençur, dinë të dallojnë propagandën e fabrikuar nga realiteti. Ne do të vazhdojmë me qetësi, me dinjitet dhe me bindjen se e ardhmja e Kërçovës nuk ndërtohet me shpifje, por me punë, me përkushtim dhe me respekt për secilin qytetar – pa dallim etnie apo përkatësie.
Le ta ruajmë Kërçovën nga ndyrësia e politikës së vjetër. T’i themi JO manipulimeve dhe PO dinjitetit, bashkëjetesës dhe zhvillimit që i takon këtij qyteti.
Dhe krejtësisht në fund, është thelbësore që para çdo reagimi publik apo nxjerrjeje përfundimesh të verifikohet me kujdes autenticiteti i materialit audio. Vetëm pas një vlerësimi të qartë dhe të besueshëm nga institucionet apo ekspertët përkatës mund të flitet me përgjegjësi mbi përmbajtjen e tij. Çdo koment apo diskutim pa një konfirmim të tillë do të ishte spekulativ dhe potencialisht i dëmshëm, si për personat e përfshirë.