Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj siç thonë, përpjekjeve të fundit për të delegjitimuar procesin e regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, një proces që, për herë të parë pas vitit 2002, nxori shqiptarët në shtet: 29,5%, krahasuar me 25,17% në vitin 2002.
Reagimi i BDI-së:
“Ky veprim, tashmë i rrëzuar si i kundërligjshëm, nuk është thjesht një gabim teknik apo administrativ, por një akt politik i rëndë që synon zvogëlimin e përfaqësimit të shqiptarëve në mënyrë sistematike, duke anashkaluar kontributin, praninë dhe të drejtat e diasporës.
BDI rikujton se ata që sot flasin për procesin e regjistrimit të vitit 2021, janë të njëjtët që në vitin 2024 votuan dhe legalizuan përjashtimin e mbi 300 mijë shqiptarëve jashtë vendit. Nga 29,5% që ishte përqindja e shqiptarëve, me vendime politike dhe diskriminuese, u soll në 24,3%, çka nënkupton më pak se edhe vetë rezultati i regjistrimit të vitit 2002.
Nëse dikush sot duhet të mbajë përgjegjësi për manipulime, atëherë janë funksionarët e kësaj qeverie dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë që votuan dhe zbatuan vendime që dëmtojnë shqiptarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe afatgjate.
BDI rithekson se nuk do të lejojë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të padukshëm në vendin e tyre dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, ligjore dhe politike për të mbrojtur realitetin demografik dhe të drejtën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”.