16 C
Tetovo
E enjte, 9 Tetor, 2025
BallinaLajmeBDI: Pjesëmarrja e VLEN në tubimet e VMRO-së dëshmon varësinë e plotë...

BDI: Pjesëmarrja e VLEN në tubimet e VMRO-së dëshmon varësinë e plotë politike

Pjesëmarrja e ministrit të Shëndetësisë dhe njëkohësisht shefit të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, z. Azir Aliu, si dhe vetë kandidatit të tyre për këtë komunë, në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar, është dëshmi e qartë se ky koalicion tashmë është plotësisht i varur nga votat e VMRO-së në çdo komunë të vendit — aq sa kërkon shpëtimin dhe lutet për ndihmë te padroni politik që e mban gjallë.

Kjo nuk është bashkëpunim – kjo është nënshtrim politik me përulje publike.

Është tregues i qartë se VLEN e di mirë se do të humbasë në çdo komunë shqiptare, sepse nuk e ka votën e shqiptarëve, nuk e ka besimin dhe nuk e ka më legjitimitetin e popullit shqiptar.

Dhe kur e humb besimin e popullit tënd, mbetet vetëm një rrugë: t’i kërkosh mëshirë padronit që të shpëtojë politikisht.

Në vend që të përfaqësojë interesat e qytetarëve shqiptarë, VLEN ka zgjedhur të përfaqësojë interesat elektorale të VMRO-së – duke marrë pjesë në mitingjet e tyre, pa pasur madje as fuqinë t’i ftojë ata në mitingjet e veta.

Por kjo nuk ndodh – sepse, siç thotë fjala e urtë politike: padroni nuk shkon te vasali.

Ky është dallimi mes partneritetit dhe vasalitetit:

Partnerët bashkëpunojnë – vasalët nënshtrohen.

VLEN sot nuk flet më me votën e shqiptarëve, por me votën e VMRO-së.

VLEN nuk flet më me zërin e shqiptarëve, por me zërin e partisë që premtoi dhe hoqi balancuesin, dhe parashtroi iniciativën për shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Nëse një forcë politike shqiptare pranon të bëhet vegël e partisë që kërkon të fshijë çdo simbol të barazisë shqiptare, ajo nuk është më forcë politike – ajo është shërbëtore e bindur e një projekti antishqiptar.

Mungesa e votës shqiptare dhe mospasja e legjitimitetit popullor e kanë çuar drejt një gjendjeje vasaliteti të plotë, ku fuqia politike nuk buron më nga qytetarët, por nga lutjet para padronit që u jep oksigjen elektoral për të mbajtur gjallë një projekt të dështuar.

Ata nuk kërkojnë më votë – ata kërkojnë leje nga padroni për ekzistencë politike.

Pjesëmarrja e tyre në tubimet e VMRO-së, në skena të huaja politike, është akt i varësisë morale dhe politike që e zhvesh VLEN nga çdo pretendim për përfaqësim shqiptar.

Ata nuk janë më zë i shqiptarëve, por jehona e padronëve të tyre politikë.

Prandaj, u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos lejojnë që vullneti i tyre të keqpërdoret nga marioneta të orkestruara nga interesat e partive maqedonase.

Asnjë njeri që kërkon votën e shqiptarëve, por del në podiumet e VMRO-së, nuk mund të pretendojë se përfaqëson dinjitetin dhe kauzën shqiptare.

VLEN nuk është më zë i shqiptarëve – është jehona e padronëve të tyre politikë.

Më 19 tetor, shqiptarët do ta thonë fjalën e tyre me votë, me dinjitet dhe me bindje – duke dëshmuar se legjitimiteti nuk jepet nga VMRO, por fitohet nga populli.

Bashkimi Demokratik për Integrim

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments