Bashkimi Demokratik për Integrim tha se, VLEN po e pranon dhe përdor gjuhën e Beogradit ndonëse në zgjedhje u mburrën me mbështetjen e një partie politike në Kosovë. Ky reagim i BDI-së erdhi pasi Ivan Stoilkoviç e quajti Kosovën “Kosovo dhe Metohija”. BDI tha se kjo nuk është fyerje vetëm për Kosovën por është tradhti ndaj shqiptarëve.
“Zëvendëskryeministri për marrëdhënie ndëretnike në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, partner i VLEN-it në pushtet, i referohet Kosovës si “Kosovo dhe Metohija” – term kishtar ky i përdorur nga Serbia për të mohuar pavarësinë e shtetit të Kosovës!Pra, ata që garuan në zgjedhje duke u mburrur me mbështetjen e një partie politike në Kosovë, sot e pranojnë dhe përdorin gjuhën e Beogradit!
Ky është kulmi i degradimit të tyre politik dhe poshtërimi i radhës për VLEN-in.
Kjo nuk është vetëm një fyerje për Kosovën, por edhe një tradhti e turpshme ndaj shqiptarëve që VLEN-i i mashtroi për të marrë votat e tyre.Sot, të gjithë shohin sesi kauza e tyre e dyshimtë përfundon në gjirin e propagandës serbe, duke dëshmuar edhe një herë se janë vetëm vegla të politikave të huaja dhe jo përfaqësues të denjë të shqiptarëve në këtë shtet!
Turp dhe poshtërim për Vlen-in dhe “Metohinë” e tyre politike”, thotë BDI.