9.8 C
Tetovo
E hënë, 30 Mars, 2026
BallinaLajmeBDI: Ndërprerja e projektit Strugë-Qafë Thanë është vendim politik, jo kërkesë e...

BDI: Ndërprerja e projektit Strugë-Qafë Thanë është vendim politik, jo kërkesë e UNESCO-s

 Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) edhe sot ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për të mos vazhduar projektin e autostradës Strugë-Qafë Thanë, duke e cilësuar atë si një vendim të pastër politik që po maskohet me arsyetime të pabazuara.

Sipas BDI-së, referimi ndaj UNESCO si shkak për ndalimin e projektit është i papranueshëm dhe i pabazë. Nga kjo parti theksojnë se UNESCO nuk paraqet pengesë për zhvillimin e infrastrukturës, por po përdoret si justifikim për të fshehur, siç thonë, një vendim të qëllimshëm për ndërprerjen e një korridori strategjik që lidh vendin me Shqipërinë.

“UNESCO nuk është arsye për ndalim. Është mbulesë për një vendim politik,” thuhet në reagimin e BDI-së, duke nënvizuar se problemi nuk është i natyrës teknike, por thellësisht politik. Në reagim theksohet se ndërprerja e këtij projekti dëmton drejtpërdrejt interesat strategjike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke cenuar lidhjet infrastrukturore me Shqipërinë dhe zhvillimin rajonal.

BDI ka drejtuar kritika të veçanta edhe ndaj koalicionit qeveritar VLEN, duke theksuar se si pjesë e ekzekutivit, ai mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë vendim. Sipas tyre, mungesa e një qëndrimi publik, kundërshtimi apo reagimi nga ana e VLEN-it në një çështje kaq të ndjeshme për shqiptarët është e pajustifikueshme.

“Të jesh pjesë e qeverisë dhe të pranosh pa asnjë reagim ndërprerjen e një projekti që prek interesat strategjike të shqiptarëve është e papranueshme dhe përbën tradhti politike,” theksohet në reagim. BDI kërkon transparencë të plotë nga institucionet dhe rishqyrtim të menjëhershëm të vendimit, duke insistuar se projektet infrastrukturore që lidhin vendin me rajonin nuk duhet të jenë objekt i kalkulimeve politike, por prioritete zhvillimore dhe kombëtare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments