5.7 C
Tetovo
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
BallinaLajmeBDI / Ministri i Drejtësisë Fillkovi të ndiqet penalisht

BDI / Ministri i Drejtësisë Fillkovi të ndiqet penalisht

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj refuzimit për organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar si rast me elemente të përgjegjësisë penale. “Refuzimi për organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është më vetëm shkelje administrative. Në këtë fazë, kemi elemente të përgjegjësisë penale”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Sipas partisë, pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga Ministria e Drejtësisë dhe personat përgjegjës “përbën bazë për përgjegjësi penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas Kodit Penal, kur një zyrtar publik, me vetëdije, nuk zbaton ligjin dhe u mohon qytetarëve një të drejtë të garantuar.”

BDI thekson se mosveprimi i qëllimshëm për zbatimin e ligjit dhe krijimi i praktikës përjashtuese ndaj gjuhës shqipe “përmban elemente të moskryerjes së detyrës zyrtare, kur një organ shtetëror refuzon të veprojë edhe pse ka detyrim ligjor të qartë.” Partia paralajmëron se kjo situatë po prodhon pasoja serioze shoqërore.

“Mohimi i së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në një procedurë shtetërore, si provimi i jurisprudencës, dhe relativizimi publik i kësaj të drejte, krijon klimë përjashtuese dhe përmban elemente të nxitjes së mosdurimit ndëretnik, që është e sanksionuar si vepër penale”, theksohet në kumtesë. BDI ka paraqitur kërkesa të qarta.

“Kërkojmë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve që menjëherë të konstatojë shkeljet dhe të iniciojë procedura për kundërvajtje ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës. Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të vlerësojë ekzistencën e elementeve për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskryerje të detyrës zyrtare dhe nxitje të mosdurimit ndëretnik. Kërkojmë përgjegjësi personale nga Ministri i Drejtësisë për çdo vendim ose mosveprim që pengon zbatimin e ligjit. Ligji është i qartë. Zbatimi i tij nuk është opsion. Pengimi i tij ka pasoja juridike”, thonë nga BDI.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments