20.4 C
Tetovo
E martë, 9 Shtator, 2025
BallinaLajmeBDI: Memorandumi i mirëkuptimit mes Fondit Pensional të RMV-së dhe të Republikës...

BDI: Memorandumi i mirëkuptimit mes Fondit Pensional të RMV-së dhe të Republikës Sërpska hap i rrezikshëm drejt minimit të sovranitetit të Bosnjës

BDI ka reaguar ndaj nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Fondit të Sigurimit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Republikës Serbe, duke e cilësuar si hap që legjitimon entitete që minojnë sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës. Sipas partisë, ky veprim anashkalon institucionet shtetërore të BeH, dëmton stabilitetin rajonal dhe bie ndesh me orientimin strategjik europian të Maqedonisë së Veriut. BDI e sheh memorandumin si mbështetje indirekte ndaj tendencave separatiste dhe si rrezik për fondet e pensionistëve në Maqedonia. Partia kërkon pezullimin e menjëhershëm të tij dhe riafirmimin e respektit për sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar dhe të skandalizuar nga nënshkrimi i fundit i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe Fondit të Sigurimit Pensional të Republikës Serbe (RS). Në një moment kur Bosnjë e Hercegovina është nën presion të vazhdueshëm nga forcat separatiste, ky hap i pamenduar paraqet rrezik për legjitimimin e entiteteve që hapur e minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Sipas rregullave, niveli i bashkëpunimit dhe pala përkatëse e Maqedonisë së Veriut janë institucionet në nivel shteti të BeH, e jo entitetet. Anashkalimi i institucioneve të shtetit të BeH minon besimin dhe stabilitetin në rajon. Nëse është vendosur të shkohet drejt një bashkëpunimi entitetesh, atëherë Qeveria është dashur që të njëjtin memorandum ta nënshkruajë edhe me Federatën e Bosnjë e Hercegovinës si dhe me Distriktin e Brçkos, për të pasur një balancë të besueshme. Mbi të gjitha, ky veprim është një fyerje për sovranitetin, statusin ndërkombëtar dhe diplomacinë e Maqedonisë së Veriut, e cila, në pamundësi për të bashkëpunuar me shtete partnere në përputhje me orientimet tona strategjike, po reduktohet në bashkëpunëtore të krahinave dhe entiteteve problematike”, thuhet në reagim.

Ky veprim i Qeverisë shton BDI sjell disa pasoja shqetësuese nga këndvështrimi pragmatik dhe juridiko-ndërkombëtar:

1. Nxitje e shkëputjes (secesionit)

Me nënshkrimin e këtij dokumenti dërgohet një mesazh që mund të interpretohet vetëm si mbështetje për ambiciet separatiste të Republikës Serbe, të orkestruara nga ish-presidenti i dënuar Milorad Dodik. Në një kohë kur Dodik po përballet me fundin e karrierës së tij politike, është plotësisht i izoluar, kërcënon me destabilizim të plotë të rajonit, kërkon shkëputje jokushtetuese dhe rrënon çdo parim demokratik mbi të cilin qëndrojnë demokracitë moderne duke mos respektuar vendimet e gjykatave të Bosnjës e Hercegovinës që e shpallën fajtor, Maqedonia e Veriut po e përdor reputacionin e saj të fituar me mund për ta faktorizuar atë dhe regjimin e tij në kurriz të qytetarëve. Ky veprim, në një kohë të stabilitetit të brishtë në Ballkan, është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm, jologjik dhe në kundërshtim me interesat strategjike të Maqedonisë së Veriut. Kjo vetëm e dëshmon se vendimet për politikën ndërkombëtare në këtë shtet formalisht merren në Shkup, por në fakt diktohen dhe konceptohen në Beograd.

2. Kërcënim për interesat e Maqedonisë së Veriut

Do të ishte disi e kuptueshme sikur Qeveria të zgjidhte partnerë të dyshimtë, por për të mirën e qytetarëve në fund të ditës. Nëse do të bëhej fjalë për një fond të njohur, me modele moderne investimi, solvent dhe financiarisht stabil, atëherë së paku do të mund të argumentohej se Qeveria nuk zgjedh mjete kur është në pyetje e mira e qytetarëve. Por nuk është ky rasti, përkundrazi, është shumë larg. Fondi i pensioneve i Republikës Serbe është i ngarkuar me borxhe enorme dhe po përballet me krizë serioze financiare prej kohësh si rezultat i shpërdorimeve të qëllimshme nga Dodik dhe strukturat e tij që përpiqen ta delegjitimojnë shtetin e Bosnjës e Hercegovinës dhe t’i shkaktojnë dëm financiar. Lidhja e sistemit pensional të Maqedonisë së Veriut me një partner kaq të paqëndrueshëm i ekspozon në rrezik fondet e pensionistëve tanë dhe vë në pikëpyetje stabilitetin financiar të shtetit. Një hap i tillë do të ndërmerrej vetëm nga dikush ekstremisht i paditur ose një vasal i verbër i Beogradit. Qeveria duhet të bëjë publike nëse është e para apo e dyta.

3. “Rilindja Jugosllave” si justifikim për nxitjen e “Botës Serbe”

Veçanërisht skandaloze është deklarata e drejtorit të Fondit, Nikola Memov, i cili e trajton Republikën Serbe në BeH si shtet të pavarur dhe nënshkrimin e këtij dokumenti e paraqet si pjesë të “rregullimit të marrëdhënieve me vendet e ish-Jugosllavisë”. Republika Serbe nuk është shtet — ajo është entitet brenda shtetit ndërkombëtarisht të njohur të Bosnjës e Hercegovinës, dhe krijimi i saj, sipas të gjitha vendimeve të Tribunalit të Hagës, lidhet me fushata të spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj boshnjakëve, që kontribuuan në shpërbërjen e Jugosllavisë, e jo në ruajtjen e saj. Memov nuk po merr pjesë në ndonjë fushatë të padëmshme jugonostalgjike, por po i jep vrull forcave që e shkatërruan Jugosllavinë dhe kontribuuan në stagnimin e tërë rajonit. Kujtojmë se, sipas të gjitha orientimeve tona strategjike, Maqedonia e Veriut e ndërton rrugën e saj jo mbi hijet e së kaluarës, por mbi të ardhmen — përmes implementimit të reformave dhe vlerave europiane — dhe nuk duhet të bëhet pjesë e projekteve retrograde për “Botën Serbe” që përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë e tërë rajonit.

Thirrje për përgjegjësi

I bëjmë thirrje udhëheqjes së Qeverisë dhe Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor që menjëherë të rishqyrtojnë hapat e tyre, të pezullojnë zbatimin e këtij memorandumi dhe publikisht të konfirmojnë përkushtimin e patundur të Maqedonisë së Veriut ndaj së ardhmes europiane dhe respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës e Hercegovinës.

Kujtojmë se Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore i Maqedonisë njoftoi më 5 shtator se do të shkëmbejë të dhëna edhe elektronikisht me Fondin e Republikës Srpska

“Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore i Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar një Marrëveshje për shkëmbimin elektronik të të dhënave. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Fondit, Nikolla Memov, dhe drejtori i Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore të Republikës Srpska, Mladen Miliq.
Drejtori i Fondit SPI, Memov, tha se nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje plotëson rregullimin e shkëmbimit të të dhënave në këtë fushë me vendet e ish-Jugosllavisë dhe përfaqëson një hap përpara në bashkëpunim, i cili është sigurisht në interes të përdoruesve të shërbimeve të Fondit. Ai shtoi se bashkëpunimi me Fondin e Republikës Srpska duhet të zgjerohet në periudhën e ardhshme duke shkëmbyer të dhëna të tjera me interes për të dy Fondet, të cilat do të lehtësojnë dhe përshpejtojnë procesin e ushtrimit të të drejtave në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments