BDI akuzon institucionet e RMV-së se kanë lehtësuar hyrjen e kapitalit serb në sektorin bankar duke i dhënë leje “Alta Banka”-s për të blerë “Stopanska Banka” Bitola, ndërsa pengojnë bankat me kapital shqiptar. Partia ngre dyshime për takime të fshehta mes zyrtarëve dhe për ndikim politik e ekonomik të “botës serbe” në vend. Ata akuzojnë se konkretisht, Komisioni i Letrave me Vlerë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e saj të 65-të, të kryesuar nga kryetarja Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it, ka dhënë leje për “Alta Banka” SHA Beograd që të paraqesë ofertë zyrtare për marrjen e “Stopanska Banka” SHA Bitola, transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë lidhur me konfirmimin e planit të hyrjes së kapitalit serb në sektorin bankar të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë përfitimin e fundit të ALTA Banka për marrjen e aksioneve të Stopanska Banka Bitola. Konkretisht, Komisioni i Letrave me Vlerë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e saj të 65-të, të kryesuar nga kryetarja znj. Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it, ka dhënë leje për “Alta Banka” SHA Beograd që të paraqesë ofertë zyrtare për marrjen e “Stopanska Banka” SHA Bitola”, thonë nga BDI.
BDI pyet:
• A ka pasur në shkurt 2025, në kabinetin e Kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në praninë e Zëvendëskryeministrit Stoilkoviç, një takim mes Izet Mexhitit dhe Aleksandar Vulin, gjatë të cilit është diskutuar dhe koordinuar ky investim i madh serb?
• Nëse ky takim ka ndodhur, cili ishte qëllimi i tij dhe si lidhet me vendimet për dhënjen e lejes për ALTA Banka nga institucionet e udhëhequra nga VLEN?
“Ky rast tregon një manipulim të theksuar: pengesa të mëdha për hapjen e bankave shqiptare, ndërkohë që bankat me kapital të dyshimt serb nuk hasin asnjë problem për të hyrë në treg, madje marrin miratim të shpejtë nga institucionet. Për më tepër, kujtojmë se Banka Qendrore Evropiane (BQE) në vitin 2024 shprehu shqetësime serioze lidhur me mundësinë e pastrimit të parave përmes përpjekjes së ALTA Pay, një kompani serbe e drejtuar nga Davor Macura, për të blerë Addiko Bank në Austri. Në këtë kontekst, miratimi i lejes për ALTA Banka në Maqedoni ngre pyetje serioze për standardet e transparencës dhe sigurisë financiare. BDI kërkon përgjigje të qarta dhe të menjëhershme nga Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski, Zëvendëskryeministri Stoilkoviç dhe Izet Mexhiti, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar për motivet, përmbajtjen dhe pasojat e një takimi të tillë, dhe për të siguruar që interesat strategjike dhe financiare të vendit nuk cenohen për favor të interesave të “botës serbe”. Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike; përmes sektorit financiar dhe lehtësive të dhëna për bankat me kapital serb, po tentohet të vendoset ndikimi i drejtpërdrejt i “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut. Ky fenomen rrezikon jo vetëm stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, por edhe rrjedhat politike, duke krijuar mundësi për orientim të vendimeve strategjike dhe institucionale në favor të interesave të huaja mbi interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të vendit”, thonë nga kjo parti.
Alta Banka, e njohur më parë si Jubmes Banka, u transformua dhe u riemërua në vitin 2020. Sot, ajo është në pronësi të plotë të Alta Pay Group doo, një kompani serbe në pronësi të Davor Macurës.
Macura është i njohur për publikun serb si një biznesmen që ka parë rritje të shpejtë në dekadën e fundit, paralelisht me qeverinë e Partisë Progresive Serbe (SNS). Afërsia e tij me qeverinë dhe me vetë presidentin Vuçiq e bën blerjen e një banke maqedonase një çështje që shkon shumë përtej një marrëveshjeje të thjeshtë ekonomike.
Dimensionet politike
Hyrja e Alta Bankës në Maqedoni interpretohet gjithashtu si pjesë e strategjisë më të gjerë të Beogradit për të forcuar ndikimin e saj ekonomik dhe politik në rajon. BDI ka paralajmëruar publikisht se kjo blerje përfaqëson “një përpjekje nga Beogradi për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kryesore në vend”, gjë që është pjesë e konceptit të të ashtuquajturës “botë serbe”.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se ndërmarrjen e një banke vendase, Vuçiq fiton një kanal të drejtpërdrejtë ndikimi në sistemin financiar të Maqedonisë së Veriut – një sektor me rëndësi strategjike për çdo vend.
Grupi Alta paraqiti një ofertë për marrjen e plotë të Stopanska Banka Bitola, duke ofruar 3,777 denarë për aksion, që vlerëson vlerën e bankës në rreth 24 milionë euro.
Edhe pse Komisioni i Letrave me Vlerë fillimisht e ndaloi procedurën për shkak të ndryshimeve në strukturën e blerësit, pala serbe mbetet e vendosur ta realizojë marrëveshjen përmes një entiteti të ri juridik brenda grupit.
Rreziqet dhe implikimet
Marrja në kontroll e një banke maqedonase nga një institucion i lidhur drejtpërdrejt me një biznesmen të afërt me Vuçiqin ngre një numër pyetjesh:
• A do të rritet ndikimi politik i Beogradit në vend,
• A do të ketë kjo pasoja për stabilitetin financiar,
• Dhe si do të ndikojë në pavarësinë ekonomike të vendit.
Ekspertët paralajmërojnë se megjithëse investimet e huaja sjellin kapital të ri, në rastin e Alta Bankës ekziston një dimension i qartë politik që kërkon një qasje të kujdesshme dhe mbikëqyrje të fortë institucionale.
Me këtë marrëveshje, Maqedonia po përballet me një realitet të ri – Vuçiq po fiton ndikim të drejtpërdrejtë në vend përmes sektorit bankar.
Kujtojmë se raporti i ri i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian, paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
“PE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me të ashtuquajturin projekt ‘bota serbe’ dhe se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept; PE dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë të krijojnë një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në raport.