27.7 C
Tetovo
E martë, 8 Korrik, 2025
BallinaLajmeBDI: Kultura po plaçkitet, VLEN-i po pasurohet – Artistët pa bukë, militantët...

BDI: Kultura po plaçkitet, VLEN-i po pasurohet – Artistët pa bukë, militantët me projekte

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shfaqi dje një zemërim të hapur ndaj mënyrës se si është shpërndarë, së fundi, fondi publik i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, duke i akuzuar zyrtarët e koalicionit VLEN për një keqpërdorim të kulluar të mjeteve shtetërore dhe për një ndarje të projekteve kulturore mbi baza klienteliste partiake.

“Kultura po plaçkitet, VLEN‑i po pasurohet, artistët po mbeten pa bukë, ndërsa militantët po ulen në sofër me projekte!”, thotë mes tjerash reagimi zyrtar i BDI‑së.

Sipas kësaj force politike, njëri ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve doli të jetë drejtori i Qendrës së Skijimit “Popova Shapka”, Abdylgani Aliji, i cili, përmes shoqatës “Soleina”, ka marrë 420 mijë denarë. “Kjo është formë e pastër keqpërdorimi – para publike që derdhen në xhepat e funksionarëve partiakë, jo në altarin e kulturës», thekson BDI, duke vijuar se zëvendësministri i Kulturës, z. Sedat Sulejmani, paska shpërndarë fondet si «shpërblim partiak”.

Më tej vihet në dukje se, prej 15 milionë denarëve të vendosur në dispozicion për konkursin e industrisë kreative, veç 11 për qind – rreth 2 milionë denarë – u ndanë për aplikantë shqiptarë, dhe edhe këta përfitues, pohon BDI, janë kryekëput njerëz të afërt me VLEN‑in. «Në vend të lulëzimit kulturor, po shohim pasurimin e një rrethi të ngushtë partiak; kjo nuk është politikë kulturore, por korrupsion i kulluar», shton deklarata.

Në përmbyllje, BDI kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe nga Prokuroria Publike, me qëllim hetimin e plotë të këtij rasti, ku, sipas partisë, shfaqen qartë elemente të konfliktit interesi dhe shpërdorimit të pozitës zyrtare. «Artistët e pavarur po përndiqen drejt skajit të mbijetesës, kurse militantët partiakë shpërblehen me projekte; kjo është padrejtësi dhe rrezik i hapur për të ardhmen e kulturës shqiptare në vend», përfundon reagimi i forcës politike

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments