3.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajme“BDI ka filluar t’i besojë gënjeshtrës së tyre”, sondazhet e rreme ende...

“BDI ka filluar t’i besojë gënjeshtrës së tyre”, sondazhet e rreme ende figurojnë në profilet e ministrave të BDI-së

– Vjeshta e këtij viti do të jetë e shoqëruar me zgjedhje të parakohshme parlamentare, por se sa demokratike do të jenë ato zgjedhje tregon periudha para zgjedhjeve. Gjashtë muaj së paku para zgjedhjeve pa fije përgjegjësie publikohen sondazhe të rrejshme, dhe pastaj shpërndahen nga secili ministër i BDI-së duke u krekosur me rezultatet që i kanë sajuar vetë. Kjo përpos që është manipulim me publikun tregon që qytetari në sytë e tyre është “dele” që nuk dallon të vërteten prej gënjeshtrës. Të përgatitesh për të kërkuar besimin e qytetarëve duke i shndërruar në makineri votuesish që nuk kuptojnë gjë, është më shumë se ofendim e nënvlerësim. Ministrat e deputetët e BDI-së kanë shpërndarë rezultate të një sondazhi fantom që nuk është realizuar fare, ato aludojnë se këtë sondazh e ka kryer MCMS, ndërkaq drejtori kësaj agjencie demanton duke thënë se sondazh të tillë nuk ka realizuar agjencia e tij, shkruan Zhurnal.

Nuk shkohet në zgjedhje me gënjeshtra me sondazhe të përgatitura në shtabe partiake, kush po i frikësohet realitetit të besimit të qytetareve që po sajon sondazhe të rrejshme?. BDI në këtë sondazh është në epërsi në kampin shqiptar, madje sipas këtij sondazhi të rremë BDI e vetme është më e besueshme dhe e votuar se gjitha partitë tjera shqiptare. Kjo tregon se ky sondazh, dyshohet se ka dalë nga shtabet e BDI-së, dhe është indikatorë i qartë që po i frikësohen realitetit prandaj kanë zgjedhur rrugën e mashtrimit për t’i manipuluar qytetarët. Në BDI i njohur për menaxhim të “portaleve propaganduese” është Artan Grubi, i cili pretendohet që të ketë sajuar edhe tani këtë sondazh të rrejshëm.

Ajo që është interesante dhe për të ardhur çudi është fakti se edhe pas demantit të drejtorit të MCMS se sondazh të tillë nuk ka realizuar agjencia i tij, në muret e profileve të ministrave dhe deputetëve të BDI-së po i njëjti sondazh figuron ende. “Kjo tregon që ata kanë filluar t’i besojnë gënjeshtrave të tyre”.

“MCMS porositur dhe publikuar sondazh për ‘100 ditët e qeverisjes’. Nuk bëhet fjalë për vlerësimin e partive politike. Nuk ka vlerësime të publikuara në raportin e anketimit”, ka thënë drejtori i MCMS-së, Aleksandar Kërzhallovski.

MCMS thotë se nuk ka asnjë sondazh për vlerësimet të partive politike. Pasi disa portale sot publikuan rezultatet e një sondazhi të opinionit publik me rejtingje partiake, “360 Gradë” iu drejtua MCMS, me kërkesë që të marrë sondazhin për të publikuar të dhënat, në mënyrë autentike. Kërkesës sonë iu përgjigj drejtori i MCMS-së, Aleksandar Krzalovski, i cili tha se nuk ka një sondazh të tillë. Aleksandar Krzalovski, drejtor i MCMS “MCMS porositi dhe publikoi një sondazh për ‘100 ditët e qeverisjes’.

Por, ky demant nuk ngriti peshë te politikanët që me nxitim e publikuan në murin e tyre, ata ende i besojnë këtij sondazhi të rrejshëm, por vetëdija e lartë qytetare nuk është në nivelin që ata kishin dashur të jetë, qytetarët janë sy hapur dhe e kuptuan që ky sondazh si dhe shumë të tjerë që do të vijnë pas tij me shumë gjasë nuk do të jenë të vërtetë.

Zgjedhjet e fundit lokale në vend nuk ishin vetëm lokale, pasi shkaktuan ndryshime drastike në skenën politike. Partitë në pushtet “u zhveshën” nga pushteti i maskuar dhe pësuan humbje historike. LSDM humbi aq shumë komuna saqë humbi prej skenës edhe “lideri revolucionar” Zaev, ndërkaq nga BDI pësuan humbje historike në qytetin e selisë së partisë në Tetovë, ndërsa Gostivarin e kishte të humbur edhe nga zgjedhjet e kaluara. Prandaj partia më e madhe shqiptare në vend e me kohë më të gjatë në pushtet, nuk arriti të fitojë në komunat më të populluara me shqiptarë.

Ndonëse për BDI-në nuk është e tëra kjo, se nuk janë të gatshëm për zgjedhje e dëshmon edhe “tymi” që po del ende nga “grupi i zjarrit” të cilët po zhvillojnë betejë të ashpër përbrenda partisë duke e shpallur si figurë të pa dëshirueshme Artan Grubin. Prandaj, BDI përballet me krizë të shumëfish jashtë dhe përbrenda partisë, kriza të cilat nuk janë në favor të partisë për të shkuar në zgjedhje. 

A po frikësohen BDI dhe LSDM nga zgjedhjet e parakohshme?

Partitë në pushtet konsiderohet se janë të zgjedhur me vullnetin e popullit dhe e gëzojnë besimin e dhënë dhe të njëjtin e mbajnë edhe gjatë qeverisjes, në momentin që diskutohet për testim të këtij besimi këto refuzojnë, sepse frikësohen apo përshkak se një besim të tillë nuk e gëzojnë me plotë kuptimin e fjalës.

LSDM mbase ka edhe arsye më të fortë që të frikësohet nga zgjedhjet sepse ka pësuar debakël në zgjedhjet e fundit lokale të vitit të kaluar.

VMRO-DPMNE partia opozitare e udhëhequr nga pasuesi i Gruveskit, Hristijan Mickovski, është rikthyer fuqishëm në skenën politike. Në zgjedhjet lokale më 31 tetor të vitit 2021 fitoi të paktën gjysmën e 80 komunave të vendit, ndërsa LSDM partia në pushtet fitoi më pak se 20 komuna. Rezultati shënon një kthesë të madhe në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, pasi katër vite më parë, socialdemokratët kishin fituar 57 komuna dhe VMRO-DPMNE vetëm pesë.

Nga VMRO thonë që ata kanë më shumë kryetar komunash dhe më shumë deputet, prandaj vullneti popullit duhet vlerësuar.

Ngjashëm edhe nga BDI shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është e dëshiruar, për faktin që edhe këta në zgjedhjet e fundit lokale humbën bastionin e tyre Komunën e Tetovës të udhëhequr nga Teuta Arifi. Tetova dhe Gostivari qytetet më të banuara me shqiptarë nën udhëheqjen e opozitës shqiptare, kjo ndikon qartazi që BDI të frenojë e distancohet nga zgjedhjet e parakohshme përshkak se tereni i tyre nuk është në gjendje të gatshme për të garuar.

Por për BDI-në nuk përfundon me kaq, ata ende nuk i kanë qëruar hesapet përbrenda partisë, i njohuri “grupi i zjarrit” ende është aktiv dhe po zhvillohet betejë e ashpër mes këtij grupi dhe Artan Grubit. Pra, problemet e brendshme partiake përbrenda BDI-së dhe humbja e Tetovës në zgjedhjet lokale janë arsyet kryesore pse nga kjo parti nuk duan zgjedhje të parakohshëm. /Zhurnal.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments